Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka kërkuar mbështetje për një të ardhme evropiane për shtetet e këtij rajoni në Komisionin për Çështjet Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Lajçak ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të bëjë një ndryshim në jetën e përditshme të njerëzve.
“Duke iu drejtuar sot PACE Political [Komisioni për Çështjet Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës] për mbështetjen e një të ardhmeje europiane për Ballkanin, theksova se sado të mira apo fisnike të jenë idetë, traktatet apo rezolutat tona, ato nuk do të kenë asnjë ndikim pa parlamentarët. Ata mbajnë çelësin për të ardhmen europiane të vendeve të tyre”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Lajçak gjithashtu ka ngritur edhe shqetësimin se mosdhënia e një perspektive evropiane për Ballkanin Perëndimor krijon hapësirë për modele më pak demokratike.
“Ju parlamentarë, keni një rol qendror në proces, meqenëse jeni në kontakt me njerëzit”, përfundoi Lajçak.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.