Legjenda e Livadhit të Kadrisë apo Livadhit të Cucës!

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Autor: Burim Piraj

Shekulli i tetëmbëdhjetë.
– Sokaku i Madh është një hapësirë në mes të fshatit, është e gjerë dhe shumë e bukur, me një përrua që kalon në mes, anëve i kufizuar me disa lisa të bukur. Aty, krejt në fund, një krua dhe një lug i drurit për të pirë ujë bagëtitë e fshatit që kanë qenë burim kryesor i të ardhurave në atë kohë. Edhe pse fshat i vogël, i pasur shumë me bagëti, ka disa tufë dhensh Sharri, lopë të racës bushe, ka kuaj, po edhe ndonjë gomar tek tuk. Fshat me gjallëri dhe me njerëz të ngritur në mesin e të cilëve ka pasur njerëz të cilët kanë kryer studimet në universitetet e Stambollit. Këtu është ndërtuar xhamia shumë herët dhe ka shërbyer si mejtep për të mësuar të rinjtë shkrim lexim dhe mësimet e para nga këndimi i “Kur’an”-it.
Tradicionalisht që nga shekujt e kaluar e deri në ditën e sotme, Sokaku i Madh ka qenë vendtakim i të gjithë banorëve, aty që nga mëngjesi deri në mbrëmje ka pasur njerëz që kanë ndenjur ulur në një trup druri të gdhendur dhe të përgatitur për ulje.
Aty ka pasur kuvend, ka pasur shaka, janë bërë dasmat duke vallëzuar burrat me tupanë e janë pritur krushqitë; aty është bërë tregti. Me një fjalë, Sokaku i Madh ka qenë dhe mbetet edhe sot e kësaj dite zemra e Plavës.
Një ditë korriku po bëhej diskutim shumë i flaktë se kush është kositësi më i mirë në fshat. Fshati Plavë ka pasur shumë kositës të mirë sepse është i rrethuar me shumë livadhe që nga lugina e lumit të Plavës e deri rrëzë malit dhe tradicionalisht janë kositur me argatë, sepse ashtu i vetëm ka qenë problem të kositen tërë ato livadhe.
Të jesh kosëtar i mirë nuk do të thotë vetëm të marrësh kosën dhe të kositësh barin, po kosëtari është gjysmë mjeshtri, sepse duhet të dijë si ta rregullojë kosishtën, ta rregullojë pozitën e kosës në kosishtë, ta rregullojë dorëzën që, si zakonisht, dorëza duhet të vendosej deri në lartësinë e brezit të kositësit për të qenë e rregullt, pastaj duhet të dijë si të cokatë kosën (që është një formë e shtypjes së tehut të kosës me çekan ashtu që të hollohet dhe pret më shumë) dhe, gjithashtu, ka rëndësi mprehja me gurë të kosës që quhej grih, pra pozita është shumë me rëndësi se si një kosëtar e mban grihën kur e grihat kosën, të gjitha këto tipare duhej t’i kishte një kosëtar domethënës. Dhe, si shumë herë të tjera, shumë të rinj, po besa edhe të moshuar, tregonin historitë e tyre të kositjes. Njëri thoshte se ka kositur kaq e tjetri më shumë e kështu me radhë. Në një moment situata u nxeh aq shumë saqë disa burra më të moshuar filluan t’i sfidojnë të rinjtë duke u thënë:
– Hajt ti që po lëvdohesh, a mund ta kositësh livadhin e bathishtës për një ditë?
– Jo vallahe nuk mundem, se bathishta e gjerë shumë dhe e papërshtatshme.
– Po livadhin e Jazës?
– Jo vallahe, – ishte përgjigjja.
Aty ishte i pranishëm edhe një djalë i ri mesatar e që nuk binte në sy, po që ishte kosëtar shumë i mirë dhe dëshironte të fliste e të inkuadrohej në bisedë po sapo donte të fliste, prapë heshtte. Në një moment, kur pak diskutimi heshti, ai u qua në këmbë dhe tha:
– Unë jam kosëtari më i mirë në fshat.
Disa nga ironia e disa nga nënçmimi filluan të qeshin me zë. Një i moshuar që, për fat të keq, emri i tij nuk dihet, e shikoi mirë e mirë me sy, e maste sa poshtë sa lart dhe i tha:
– Shiko bre djalë, çka ta merr mendja, a mundesh t’i livadhin tim përballë Shteznës, që fillon nga reka e Rrencit e deri afër urës së Haxhi Musës, ta kositësh për një ditë?
Djali, pa menduar gjatë, i tha:
– Po, nëse e filloj kosën herët derisa ka lagësht (lagësht në Plavë i thonë vesës) në mëngjes, besoj se deri në mbrëmje e mbaroj.
Disa me ironi qeshën: Ha…ha…ha… duke thënë, jo bre se nuk është e mundur.
– Ti Kadri paske shumë besim në vetën tënde, – i thotë një shok i vet.
– Më besoni ju lutem, se unë nuk e thashë për mendjemadhësi e as nuk bëra shaka. Unë po mendoj se këtë livadh kositi për një ditë.
Atë moment, burri që ia parashtroi pyetjen i pari, i tha:
– E po mirë, qe burrat e katundit ku janë, nëse ti nesër gjatë ditës e kosit livadhin tim, unë ta jap Cucën për nuse. (Cuca ka qenë vajza e këtij njeriu, flitet se ka qenë vajza më e bukur në fshat, dhe tërë fshati e ka dashur për sjelljen dhe bukurinë që ka pasur).
– Unë do ta sjell ushqimin ashtu siç e kemi zakon ta ushqejmë argatin, ti nesër je argati im, medzhenë e di dhe nuk ka nevojë të vij në mëngjes ta tregoj se fillon nga reka fshatit Rrencë, rreth lumit tanë e deri afër urës së Haxhi Musës. Para ti shko e fillo nesër e unë kysmet ta sjell sillën. Sikundër shpërblim nuk po të kërkoj asgjë, se edhe ashtu s’kam çka kërkoj, e mendoj se unë nuk po humb asgjë.
– Në rregull, zotni. Me emër të Zotit unë nesër që në mëngjes herët jam te livadhi. Jo, nuk ka nevojë të ma tregoni medzhenë, se e di.
U çel muhabeti edhe më i flaktë, jo e bën e jo s’e bën; jo mundet e jo nuk mundet, mirëpo ajo që më së shumti zgjonte interesim ishte vajza me emrin Cucë, e cila ishte pjesë e ëndrrave të gati të gjithë të rinjve të Plavës.
Kadriu me t’u kthyer në shtëpi, shkoi drejt e te baba i vet.
– Babë?!, – i tha.
– A më jep nesër leje të shkoj argat me kosit?
– Po, biri im, nuk ka problem, se edhe ashtu livadhet tona ende nuk janë pjekur. Po te kush po shkon, bir?
– Babë, jam argat ndryshe nga herët e tjera.
– Si po mendon ndryshe?
I tregoi babait të vet fill e për pe se si është puna. Babai i dha leje dhe i uroj punë të mbarë e shumë fat, edhe pse brenda në vete as që i shkonte mendja se tërë atë livadh të madh mund ta kositë brenda dite i biri.
Kadriu e mori kosën dhe e cokati shumë mirë. Ngutej që të mos e zinte errësira e nuk po mund të cokasë si duhet, i bëri gati të gjithë gjërat e nevojshme ashtu që të nesërmen të mos dështojë. Si për çudi, nga njëra anë koha shumë shpejt po kalonte e nga ana tjetër sikur u ndal gjithçka.
U shtri në shtrat dhe filloi të mendohej…
– Ah Cuca…
Jo që nuk fjet, po nuk arriti as sytë t’i mbyllë së paku, tërë natën e lume në kujtime.
Në fakt, në jetën e përditshme ai mezi priste t’i jepej rasti ta takojë Cucën, edhe pse kurrë nuk pat rast së paku shikimin të shkëmbejë me të, sepse Cuca si një vajzë e moralshme, kurrë kokën lart se mbante në rrugë, mirëpo vetë prania e Cucës ia rriste pulsin.
– Po shumë e largët është Cuca për mua. Unë i varfër e babai i saj shumë i pasur. As që e vret mendjen për mua. Thjesht, vetëm mund të ëndërroj për të, – ishin kujtimet dhe ndjenjat e një të riu.
Mirëpo këtë natë gjithçka ndryshoi. Agu i ditës së nesërme është sfida e jetës për të. Tani më nuk është e tëra e pamundur, një natë sa një shekull e gjatë.
– Eh Zoti i madh sa shumë lëmsh mendja më është bërë! A thua po më merr tani gjumi e nuk më del herët të shkoj për të kositur?
Nuk dinte se si të veprojë deri në momentin kur u duk se po dukej një rreze e hollë drite në horizont. U zgjua para kohe, u pastrua dhe e kthej kokën nga qielli. Kurrë më shumë se atë moment nuk e kishte njohur praninë e Zotit.
– O Zoti im, unë sot po dua të falem ty! Më fal o Zot që ende nuk kam mësuar si të falem, po nga thellësia e zemrës sime po të lutem të ma plotësosh dëshirën time. O Zoti im, më jep forcë! Eshheduen La ilahe ilAllah ue Eshheduene Muhameden Resulullah. E shqiptoj shehadetin ashtu siç i kishte mësuar hoxha në mejtep që kur i drejtohesh sinqerisht Zotit dhe e shqipton dëshminë, lutja do të pranohet. Doli në oborr, e mori kosën, e mori torbën me pajisje dhe u nis për në livadh.
Nga reka Rrencit e afër urës së Haxhi Musës nuk mund të shihej me sy njëri skaj nga tjetri, livadh se jo shaka.
– Bismilahe!, – thirri me zë dhe e filloi kosën me zell të madh dhe me shpresë të madhe. Sa filloi të presë barin me kosë, prapë humbi në mendime. Tani halli i madh se nuk po mund të parafytyronte Cucën dot, sado që kujtohej më nuk po arrinte fytyrën t’ia kujtojë se si e pat.
– Ah Cucë he Cucë, a ka bërë emër i Madhi Zoti që ti të jesh e imja? Uh sa ditë të gjatë kam përpara. I dukej aq e largët mbrëmja saqë frikësohej se mos e lëshon shpirti e nuk po e arrin dot i gjallë në fund të ditës.
Derisa herëve të tjera lodhej e pushonte pas otkosëve, atë ditë nga mbarimi i njërës vazhdonte me tjetrën, i vinte se kosa vetë po ecën përpara, as nuk po lodheshin krahët e as këmbët, jo sikur kositje, po i dukej se krahët po i fluturonin nga njëra në anën tjetër.
– Puna e mbarë, o Kadri!, – e dëgjoj zërin e rëndë dhe shumë të prerë.
– Të mbarë paç, zotni!
E lëshoi pronari sillën rreth lumit nën hije të një verri të madh duke mos e ndërprerë shikimin rrotull, sillej e pështillej sikur kërkonte diçka.
– Kadri! A vetëm ke qenë a?
– Po, vetëm zotni.
– Ti vetëm… Ti?
– Po zotni.
– Po kur paske filluar more?
– Sapo ka gdhirë agimi, zotni.
– Haj medet halli ky ku paska mbërri. – Iu dridh zemra zotërisë.
– Më shkoj Cuca! O Zot o Zot çka bëra, ende mëngjes e ky afër gjysmës paska mbërri! Çka do të thotë gruaja ime e shkretë? Së paku si tregova mbrëmë se çfarë fjale kam dhënë te Sokaku i Madh. Po ky nuk ma mbushte mendjen fare! Hiç nuk paska ngjarë nga baba i vet. Baba i vet nuk është i zoti as mizën prej dhalltit ta nxjerrë. Ky sigurisht paska dalë si dajallarët e vet. Nuk ma hedh ky dot mua. Ka edhe plot të kosit, hajt se ia bëj disi unë këtij.
Derisa zotëria mendohej kështu, Kadriu e kish përfunduar sillën dhe kish filluar të kositë prapë.
– Ej ti, a nuk po ha bukë a?
– Hëngra zotni.
– Si hëngre more, po ti as nuk u ule!
Kadriut i iku buza në gaz dhe vazhdoi të kositë.
– Po ky nuk po dika çfarë është lodhja, po edhe kosa bre po i pritka fort.
– Kadri, unë po shkoj, shihemi në vaktin e drekës kysmet.
E mori kalin, i ngarkoi enët dhe pak bukë që kishte mbetur dhe u nis për në shtëpi.
Në shtëpi i doli gruaja si ishte traditë, i shkarkoi enët, i qiti kalit dhe shkoi në votër, ku hyri më parë burri i vet.
– O burrë, a është e vërtetë ajo që po flasin gratë te kroi?
– Çka po flasin moj grua?
– Po thonë se ti ia paske premtuar Cucën Kadriut nëse e kosit livadhin për një ditë.
– Po vallahe, ashtu kam bërë.
– Po pse mor burrë, ku e pate zorin? Ani, si ish puna? Çka po ta merr mendja? E kosit ai sot livadhin a jo?
– Jo moj grua, po ti e di se sa argatin e kemi pasur çdo vit e mezi e kositnim deri pas dite, po livadh i madh është ai. Hajt ti mos u brengos, se nuk bëhet kjo punë.
– Shiko, nuk na mbet fytyrë po ja dhe Cucën Kadrisë. Ku janë ata e ku jemi na. Ty të njeh Opoja e Gorja e ata… Kërkushi, bash kërkushi nuk janë. As deri në Krakosht nuk kanë dalë.
– Mos u brengos. Bëre drekën gati, se ai nuk do të ketë gjasa ta përfundoj sot livadhin.
Gruaja e gatiti drekën shumë mirë e ai tinëz gruas i hodhi farë djathi në gjellë, kishte dëgjuar nga pleqtë se fara e djathit e prish barkun dhe shkakton jashtëqitje e, ndonjëherë, edhe vjellje.
Atë kohë fara e djathit është gatuar në shtëpi, pak njerëz kanë ditur ta gatisin, më së shumti është përdorur lukthi i qengjit për të pasur cilësi më të mirë të farës së djathit të famshëm të Sharrit, të cilën teknikë e mësuan barinjtë e Sharrit në Selanik, ku e bënin transferimin e dhenve gjatë stinës së dimrit. Aq shumë dhenë ka pasur në Sharr saqë në një kohë historike vetëm një individ nga fshati Brod i ka pas dhjetë mijë copë dhensh.
Ai e mori drekën e ngarkoi mbi kalë dhe u nis drejt livadhit. Kur arriti atje Kadriu e kishte përfunduar gjysmën dhe vazhdonte kosën sikur sapo të kish filluar, aspak lodhje nuk po vërehej tek ai. Shkoi nën hijen e një lisi aty afër ku kish arritur Kadriu dhe e shkarkoi drekën.
Erdhi Kadriu e hëngër mirë e mirë sepse e kishte marrë uria. Kohë e gjatë nuk u ndal së kosituri. Pa një pa dy u zgjua, e kapi kosën dhe filloi të kositë. Zotëria, si për çudi, nuk po ngutej të largohej, po sillej rrotull lumit. Kaloi pak kohë dhe filloi t’i dhembë barku, me të shpejtë shkoi te lumi. U kthye prapë dhe filloi të kositë por, prapë barku. E kuptoi se zotëria do t’ia ketë prishur ushqimin dhe nëse do të vazhdonte të shkonte te lumi, livadhi do të ngelej pa kositur.
Ishte para një dileme të madhe, po të vazhdonte me të njëjtin ritëm as që bëhej fjalë livadhi të përfundonte afër mbrëmjes, kështu si filloi pas drekës, e tëra u vendos në pikëpyetje.
Në një moment po fundosej tërë ajo shpresë e madhe, tërë ai vrull. E hodhi kosën dhe shkoi prapë te lumi. E pa se nuk po bëhej punë, i hoqi pantallonat, i vari në një lis, e lëshoi këmishën më poshtë, e kapi kosën dhe ashtu gjysmë i zhveshur, vazhdoi të kositë.
Zotëria po e shikonte me habi dhe pothuaj se i iku truri fare.
– O ti, o Kadri, po kjo është e padrejtë ore! Po sikur erdhën në livadh gratë a fëmijët e mi, nuk ka kuptim të shohin kështu. Kjo është shumë e pamoralshme. Po edhe rruga këtu afër është. Të gjithë ata njerëz që kalojnë këtu do të shohin të zhveshur. Mos ma qit faqen e zezë mua!
– Zotni, mbrëmë o morëm vesh që unë të kosit livadhin. Nuk u morëm vesh se a do ta kosit i veshur a gjysmë i veshur. Për të mos dëmtuar ty, bën roje ti dhe kujdesu që të mos më shohin mua kështu.
– Po unë kam punë ore, nuk mund të bëj roje, se duroj unë këtë turp kështu. Ika në shtëpi më mirë.
Dhe kështu, gjysmë i zhveshur Kadriu vazhdoi të kositë. Përpara i jepte kosës e barku nuk i ndalej dot. Kur filloi të bjerë terri i mbrëmjes, kishin ardhur shumë nga shokët e vet e shumë bashkëfshatarë të dëshmojnë se po ndodh një gjë e pamundur dhe e pa menduar deri atë ditë. Tërë ata që një ditë më parë e përqeshën, sot po e shikonin me simpati dhe me një xhelozi të papërshkruar. Kadriu as që e çonte kokën nga turpi dhe sapo afrohej fundi i livadhit aq më shumë po i rrihte zemra. Kur filluan të bërtasin shokët dhe dashamirët e vet, në një moment iu duk se e lëshoi forca dhe do të gjunjëzohej, po ja që erdhi otkosi i fundit.
– O Zot i madh, mos ma merr forcën! Të lutem mos më turpëro! Më jep mundësi t’i dal në fund, – dhe ashtu si i humbur arriti në fund të livadhit dhe derisa të tjerët e uronin dhe ishin afruar se tani më nga muzgu i mbrëmjes nuk po dukej trupi i tij nga humbja e ujit dhe nga lodhja për disa çaste e humbi vetëdijen dhe nuk mund të vinte në vete. U ul dhe filloi të marrë frymë thellë. E kapluan disa djersë, e kapën shokët për krahu, e quan te lumi dhe e futën në ujë. Aty u kthjell pak, u pastrua, u vesh dhe doli nga bregu i lumit si një ngadhënjimtar i madh.
Aty pranë e priste zotëria dhe disa burra të katundit.
– Kadri, bëni selam babës, le të vijë nesër në shtëpinë time ta marrë marhamën e Cucës. Për hajr të qoftë Cuca, bir!
Dhe kështu Kadria e mori Cucën për nuse.
Dhe sot e kësaj dite ky livadh i ka dy emra.
Ata që e deshën Kadrinë dhe u mahnitën me veprën e tij e quajtën Livadhi i Kadrisë. Ata që e deshën Cucën e quajtën livadhi i Cucës.
*Ngjarja është e vërtetë, ndërsa momentet janë të rastit. Sa për informatë, ky livadh ka më shumë se katër hektarë dhe thuhet se Kadria e kositi për një ditë.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-