Ish-zyrtarët e lartë policorë të Kosovës, Nenad Gjuriq dhe Aleksandar Filipoviq, kanë përmbushur “kërkesat” e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, për të cilat ata janë “shpërblyer”, sipas informacioneve nga institucionet e sigurisë të Kosovës të marra nga Radio Evropa e Lirë.
Radoiçiq është futur në listën e zezë nga SHBA-ja me dyshimet për përfshirje në krime ndërkombëtare.
Më 9 dhjetor, Britania po ashtu e sanksionoi Radoiçiqin si pjesë të masave globale anti-korrupsion.
Lista Serbe shpejt reagoi mbi këtë informacion duke e quajtur “shpifje” dhe duke shtuar se “është vërtetuar se Radoiçiqi është një patriot dhe lider i rezistencës kundër okupimit të veriut të Kosovës”.
Dy ish-policët, Gjuriq dhe Filipoviq, sipas informacioneve, ishin lloj “spiunësh” për Serbinë, ka shkruar “The Geopost” – e cila sponsorizohet nga Ambasada amerikane në Kosovë dhe Byroja për Çështje Arsimore dhe Kulturore.
Nenad Gjuriq, ish-drejtor i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, u suspendua pasi refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve. Më pas, anëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, dhe i pari që hoqi uniformën ishte ish-kreu i Operacioneve të Rajonit të Veriut, Aleksandar Filipoviq, me fjalët “mjaft më”.
Vendimi për të lëshuar institucionet e Kosovës u mor në bashkëpunim me Listën Serbe, e cila është e afërt me autoritetet serbe dhe presidentin Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit e shpërbleu Gjuriqin me “Urdhrin e Meritave për Mbrojtje dhe Siguri të Shkallës së Parë” dhe “Medaljen e Artë për Kurajë – Milosh Obiliq” Filipoviqin.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikisht ka deklaruar disa herë se gjysma e policëve në veri “punojnë” për Serbinë.
Policia e Kosovës në veri kryesisht përbëhet nga ish-anëtarë të Ministrisë së Brendshme serbe të cilët ishin integruar mbi bazat e Marrëveshjes së Brukselit më 2013.
Roli i Gjuriqit?
Informacioni i marrë nga REL-i tregon se Gjuriqi është ish-operativ, detyra e të cilit ishte të përcillte raporte nga Policia e Kosovës te MUP-i serb.
Nenad Gjuriqi ka punuar për Policinë e Kosovës që nga viti 2011, kur e nisi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve si komandant i stacionit policor të Zveçanit, dhe më 2013 ai u caktua komandant i policisë rajonale për veriun mbi bazën e Marrëveshjes së parë të Brukselit.
Ndërkohë, ai u bë drejtor i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut. Këto ngritje në pozitë u bënë pavarësisht faktit se ai vazhdimisht kundërshtoi zbatimin e vendimeve të marra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Lidhjet me Radoiçiqin
Nenad Gjuriqi publikisht ka përkrahur Milan Radoiçiqin në aktivitete të ndryshme, por deri më tani nuk ishte e ditur se ai kishte marrë një dhuratë, një vilë në Liqenin e Gazivodës, nga nënkryetari i Listës Serbe, sipas informacionit nga Policia e Kosovës, të cilin e ka marrë REL-i.
Ky liqen, afër Zubin Potokut, gjendet në territorin e Kosovës dhe të Serbisë, ndërsa vila e Gjuriqit është në pjesën serbe.
Në deklarimet e pronave në Agjencinë Anti-Korrupsion të Kosovës, ku të gjithë zyrtarët janë të detyruar të raportojnë pronat që i posedojnë, Gjuriqi nuk dha informacion se posedonte pronë as në Kosovë dhe as në Serbi. Ai deklaroi vetëm se kishte marrë një hua prej 30,000 eurosh për dhjetë vjet, duke filluar nga viti 2021, për “të përmbushur nevojat familjare”.
Radoiçiqi kërkohet në Kosovë për frikësim të dëshmitarëve në rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me ndërtimet pa leje, dhe lidhjet me vrasjen ende të pazbardhur të politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviq në janar 2018. Befasisht, Radoiçiqi u bë nënkryetar i Listës Serbe disa muaj pas vrasjes së Ivanoviqit.
Ndërkohë që ndaj tij është lëshuar një urdhër, ai dërgoi mesazh nga veriu i Kosovës në fillim të korrikut me përmbajtjen “Jam kthyer dhe ju e dini çfarë do të thotë kjo”. Ai ishte prezent edhe gjatë barrikadave që u ngritën më 31 korrik.
Ai po ashtu ka arritur të ikë nga Policia e Kosovës në disa raste para arrestimit të mundshëm.
Sipas informacioneve, Gjuriqi mori udhëzime direkte nga Beogradi për të ndihmuar dhe lehtësuar kontrabandën nga Serbia në Kosovë.
Edhe pse ai ishte zyrtar i lartë policor, sistemi informativ ka raste kriminale kundër tij për kërcënime, pengim të drejtësisë, kontrabandë, marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës.
Roli i Filipoviqit?
Aleksandar Filipoviq, ish-kreu i Operacioneve për Rajonin e Veriut, është ish-anëtar i Ministrisë së Brendshme serbe, i cili u bë pjesë e Policisë së Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit.
Informacionet sugjerojnë se Filipoviqi mbajti kontakte me ministrinë serbe nëpërmjet Slavisha Arsenijeviq, zyrtar i lartë i ministrisë serbe për çështje të Kosovës. Ka po ashtu dëshmi të takimeve të tyre, fotografi që tregojnë të dy.
Filipoviqi u bë komandant i stacionit policor të Leposaviqit në vitin 2016 me kërkesë të Milan Radoiçiqit. Krahas Radoiçiqit, ai kishte marrëdhënie të afërta me Milan Mihajloviqin, i cili u arrestua në tetor 2022 mbi dyshimet për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Ai mbajti kontakte të afërta edhe me përfaqësuesit rusë në Kosovë, si me Aleksandar Rozhdestvenski.
Filipoviq njihet gjithashtu si “njeri i Vulinit” falë kontakteve të afërta me Mile Radivojeviqit, i cili ishte këshilltar i Aleksandar Vulinit kur ai ishte ministër i Brendshëm i Serbisë. Vulini tani është drejtor i BIA-s.
Ky ish-polic i Kosovës ishte edhe pjesëtar i Asociacionit Ndërkombëtar të Policisë – Seksioni i Serbisë.
Informacionet tregojnë se ai ishte i përfshirë në rekrutimin e pjesëtarëve të Forcës Civile të Mbrojtjes, e cila zyrtarisht u shpërbë sipas Marrëveshjes së Brukselit.
Sipas Qendrës për Studime të Sigurisë e Kosovës, Forcat Civile të Mbrojtjes në veri të Kosovës ishin të përbëra nga persona me përvojë ushtarake ose të trajnuar me metoda ushtarake.
Ish-policët dhe krimi
Që nga 6 dhjetori, incidente që përfshinin përdorimin e armëve të zjarrit dhe mjeteve shpërthyese janë shtuar në veri të Kosovës dhe policia ka ngritur kapacitetin në zonë për të ruajtur rendin dhe ligjin.
Megjithatë, mbrëmjen e 8 dhjetorit, persona të maskuar tentuan të parandalonin arritjen e njësive shtesë të Policisë së Kosovës, duke rezultuar në një polic të lënduar lehtë gjatë konfrontimit të armatosur.
Persona të armatosur me maska nuk janë të rinj në veri të Kosovës. Më 31 korrik, kur barrikadat u ngritën kundër autoriteteve të Kosovës, ekipet e mediave dokumentuan prezencën e personave të maskuar.
Në një konferencë për media më 7 dhjetor, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, fajësoi për sulmet ish-policët serbë të cilët kishin braktisur postet e tyre.
Ai deklaroi se kjo ishte bërë e ditur nga informacionet nga terreni të policisë dhe shërbimit inteligjent.
Më 8 dhjetor, Sveçla u pyet nëse Gjuriqi dhe Filipoviqi ishin të përfshirë në sulmet e fundit në veri dhe ai u përgjigj se “në momentin që Kosova ka dëshmi se ndonjëri prej tyre ka qenë i përfshirë në sulme, policia do të ndërmarrë veprime”.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.