Marrëveshja me Serbinë çështje javësh dhe kërkesa për shtyrje të vendimit për targat – deklaratat e Escobarit gjatë vizitës në Kosovë

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Të mërkurën për vizitë në Kosovë ishte i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, në kohën kur kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë që qytetarët serbë të kenë mundësinë që t’i konvertojnë në RKS targat ilegale të automjeteve të lëshuara nga Serbi.

Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Gjatë ditës në dy konferencat për media, atë me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti i dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është shprehur i rezervuar dhe nuk ka dhënë detaje lidhur me procesin e dialogut.

Në të dy takimet, në deklaratat për media nuk u lejuan pyetjet e gazetarëve.

E Escobar në një paraqitje televizive ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë është çështje javësh.

Escobar ka thënë se u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesve të vendosin afatet kohore.

“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë”.

“Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon”, ka deklaruar Escobar në Kanal10.

Tutje ka folur edhe për propozimin franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë.

Ai theksoi se çka do që propozohet nga shtetet evropiane për dialogun, të merret seriozisht.

“Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike…Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane”, ka deklaruar Escobar.

I dërguari i SHBA-së për dialogun po ashtu bëri të ditur se kanë kërkuar që të shtyhet për 10 muaj vendimi për targat. Ai tha se lidhur me këtë nuk kanë marr zotim nga Osmani dhe Kurti.

“Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga Quinti që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata, të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë.”, ka thënë Escobar.

E në konferencën për media pas takimit, emisari i SHBA-ve për dialogun tha se partneriteti i Kosovës me SHBA-të është i palëkundur.

“Mendoj se e thatë mirë, është një partneritet i palëkundur mes Kosovës dhe SHBA-ve. Diskutuam edhe për çështjet e marrëdhënieve me Serbinë, implikimet rajonale nga dialogu, rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë dhe sovranitetin tuaj”, tha Escobar.

Ai shtoi se është e rëndësishme për Kosovën që të rreshtohet me vlerat evropiane në këtë kohë shumë të rëndësishme krize në kontinentin evropian.

“SHBA-të e mbështesin Kosovën në të gjitha aspiratat e saja euroatlantike. Faleminderit për miqësinë, partneritetin dhe pritjen tuaj”, është shprehur Escobar. /Telegrafi/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-