Më shumë se pesë miliardë nga totali i vlerësuar prej 16 miliardë telefonave celularë në botë do të hidhen poshtë këtë vit, sipas vlerësimeve të ekspertëve. Disa kërkojnë që i gjithë materiali të riciklohet.
E gjithë kjo është vetëm një pjesë e pothuajse 45 milionë tonëve mbetje elektronike në botë, të cilat nuk riciklohen. Edhe pse ato përmbajnë ar, bakër, argjend, paladium dhe përbërës të tjerë që mund të riciklohen, pothuajse të gjitha këto pajisje të padëshiruara hidhen ose digjen, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis dhe shëndet.
– Celularët janë ndër produktet elektronike që na shqetësojnë më shumë. Nëse nuk i riciklojmë materialet e rralla që ato përmbajnë, do të na duhet t’i nxjerrim ato në vende si Kina dhe Kongo, tha Pascal Leroy, drejtor ekzekutiv i WEEE, një aleancë jofitimprurëse e organizatave të menaxhimit të mbetjeve elektronike.
Shumë nga pesë miliardë telefonat celularë që do të jenë jashtë qarkullimit këtë vit do të mbeten të harruar në sirtarë, dollapë dhe garazhe – gjë që është gjithashtu e dëmshme. (MIA)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.