Transmetohet se Hasan Basriu ka thënë:
“Unë çuditem me atë që e ka goditur fatkeqësia, sesi i harron pesë ajetet, edhe pse e di, se çka ju ka premtuar Allahu atyre që i lexojnë ato, kur i godet fatkeqësia:
1. “Na do t’ju provojmë me ndonjë gjë: me pak frikë, uri, me dëmtim të pasurisë, dëmtim të njerëzve dhe të të lashtave. Ti përgëzoji durimtarët! – Atyre të cilët kur i godit ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” – Ata do të shpërblehen me dhunti dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!”(el-Bekare, 155-157)
2. “Atyre, të cilëve u thanë njerëzit: ‘Armiku është përgatitur kundër jush, frikohuni!’ Kjo përkundrazi ua shtoi atyre besimin, e thanë: ‘Neve na mjafton Allahu, dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” (Alu Imran, 173)
3. “Ju, së shpejti do ta kujtoni atë që po ju them! E, unë – rastin tim ia lë Allahut, me të vërtetë, Allahu i sheh robërit e Vet. – Dhe, Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe trillimeve të tyre, e ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë.” (el-Gafir, 44-45)
4. “Dhe, (kujtoje) Dhen-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar (nga populli i vet), e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër përveç Teje! Ti je i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar (ndaj vetes)! – Na iu gjegjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (el-Enbija, 87-88)
5. “Dhe vetëm thonin: “O Zoti ynë! Falna mëkatet tona dhe teprimin në punën tonë, forcona këmbët tona dhe ndihmona kundër popullit jobesimtar!” – Dhe Allahu ua dhuroi atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin edhe më të madh në jetën tjetër. Se, Allahu i don bamirësit.” (Alu Imran, 147-148) [1])
*****
Para Hasan Basriut, u përmend një njeri, i cili pas 1.000 vjetësh në xhehenem, do të dalë nga zjarri, dhe Hasani qau, duke thënë: ‘Unë do të doja të isha të paktën si ky njeri.’ [2])
Duke folur për lexuesit dhe bartësit e Kuranit, Hasan Basriu ka thënë:
“Ekzistojnë tre lloje të bartësve të Kuranit: (1) Ata të cilët e kanë marrë atë si mall tregtar, dhe shkojnë nga qyteti në qytet, dhe përmes Kuranit kërkojnë nga njerëzit thërmia të dynjasë. (2) Ata që të cilët e kanë mësuar mirë tekstin e Kuranit dhe i ndjekin rregullat e texhvidit, por nuk i respektojnë rregullat e tij dhe nuk iu përmbahen kufijve të tij. Ka shumë shembuj të tillë, Allahu e pakësoftë numrin e tyre! (3) Ata të cilët e lexojnë Kuranin dhe ilaçin e tij e përçojnë në zemrat e sëmura, qëndrojnë natën zgjuar duke lexuar Kuran në namaz dhe duke qarë. Këtyre, Kurani ua shton përulësinë, pendimin dhe devotshmërinë. Pasha Allahun, të tillë ka në Tokë më pak sesa perla të kuqe. Allahu për shkak të tyre e zbret shiun, e jep fitoren dhe e largon fatkeqësinë.” [3])
*****
Ai po ashtu ka thënë: “Me të vërtetë njeriu është i çuditshëm, melekët regjistrues i qëndrojnë pranë kokës, gjuha e tij është stilolaps i tyre, pështyma e tij është bojë e shkrimit, kurse ai përsëri e flet atë që nuk i përket atij.” [4])
*****
Hasan Basriu, gjithashtu ka thënë: “O njeri, ti nuk do ta plotësosh besimin tënd, derisa ta braktisësh përgojimin e njerëzve të tjerë për mangësitë dhe të metat, të cilat edhe vet i posedon, dhe derisa të fillosh ta rregullosh atë të metë tek vetja jote. Nëse e bën këtë, atëherë do të zbulosh edhe shumë të meta të tjera tek vetja jote, të cilat duhet t’i rregullosh. Nëse e bën edhe këtë, atëherë do të merresh me mangësitë dhe të metat tuaja dhe nuk do të merresh me të metat e njerëzve të tjerë. Dije, se tek Allahu janë më të dashur ata besimtarë, të cilët punojnë për rregullimin e të metave të tyre.” [5])
*****
I pyetur për llojet e njerëzve, Hasan Basriu ka thënë:
“Ekzistojnë tre lloje të njerëzve: (1) Ata që janë si ushqimi – pa ta nuk mundeni;
(2) ata që janë si ilaçi – për ta keni nevojë kohë pas kohe; dhe (3) ata që janë si sëmundja – ata nuk i dëshironi t’i keni afër.” [6])
Duke folur për efektet e dëmshme të mëkatit, ai ka thënë:
“O njeri, më e lehtë është ta braktisësh mëkatin sesa të pendohesh për mëkatin e kryer.” [7])
Përkthim: Miftar Ajdini
Abdusamed Nasuf Bušatlić
[1] ) [El-Tenuhi, El-ferexhu ba’de shiddeti, I/63-64.]
[2] ) [Ebu Talib el-Mekki, Kutul-kulub, I/88]
[3]) ‘Ikdul-ferid, II/89.
[4]) Ibnul-Xhevzi, Hasan Basri, fq. 33.
[5] ) [Sifetu es-safve, III/163]
[6] ) ‘Ikdul-ferid, I/131.
[7]) Ahmed ibn Hanbel, Ez-zuhd, fq. 226.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.