NË VEND TË PËRKUJTIMIT
Me rastin e 50-vjetorit të lindjes së komandantit të UÇK-së nga Bresana:
Daut (Emërllah) Rakipi
25. 10. 1971 – 16. 09. 2014
Komandanti, Daut Rakipi u lind në Bresanë të Dragashit (Sharrit). Rridhte nga një familje e urtë dhe fisnike. Që në vite të rinisë, ndjeu me shpirt vuajtjet e popullit të tij, dhe u vu në ballë të idealeve për liri e pavarësi të Kosovës. Fillimisht, pjesëmarrës po edhe organizator i protestave dhe demonstratave të viteve 1989-1990 në rrethinën e tij. Atëherë, sapo kishte arritur moshën e pjekurisë (18-19 vjeçar).
Gjatë shërbimit ushtarak në ish- Jugosllavi, e zuri lufta befasisht në Kroaci, dhe kishte pësuar me plagosje serioze… Gjendja në Kosovë vetëm po rendohej. Më vonë, thirrjes për mobilizim të përgjithshëm në radhët e UÇK-së, kundër okupatorit shekullor-serb, Dauti iu përgjigj pa një pa dy në vitin 1999. Gjatë kohës së luftës, meqë kishte eksperiencë luftarake, iu caktua detyra e komandantit të togut të D.T. – 2, në kuadër të Operacionit “Shigjeta”, në Zonën Operative të Pashtrikut. Detyrën e kreu me nder, së bashku me shoktë e tij opojarë dhe të tjerë, deri në mbarim të luftës. Pas luftës qe angazhuar në disa aktivitete që i nevojiteshin popullatës së tij, sidomos mbahet në mend ndihmesa e tij me ish-ushtarët e tjerë të Bresanës, gjatë një vërshimi që ndodhi, sapo u kthyem pas luftës nëpër shtëpi më 1999. Më pas, detyrohet që të shkojë në gyrbet – në Austri, të cilin papritur më 16.09.2014 e gjeti vdekja atje (nga një sulm në zemër). Më 18.09.2014 u soll në Kosovë trupi i tij, dhe po këtë ditë u varros me nderime në vendlindje nga bashkëluftetarët, shoktë, miqtë dhe vendasit. Dauti e kreu vazhdimisht dhe me nder misionin e tij, por nuk pati fatin që ta shijojë lirinë e Kosovës, që aq shumë e deshi.
Ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Megjithatë, caktimi i Zotit qe i tillë, dhe me këtë duhet të pajtohemi. E lusim Zotin, që Dauti të ndjej qetësi në preherin e tokës së tij, që e rriti dhe ia dha shtatin. Lirinë, le ta gëzojnë fëmijët e tij dhe fëmijët e gjithë Kosovës, për të cilët luftoi. Zoti i dhashtë mirësi edhe në botën tjetër- e shpërbleftë me xhenetin Firdeus. Neve na mbetet që ta kemi shembull, të ndjekim rrugën e tij dhe të punojmë për vlera të larta- siç punoi edhe Dauti.
Autor i shkrimit: Kasam Muhameti
(Disa foto janë huazuar nga Bejtullah Rakipi)
/OPOJAnet/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

