Lista e votuesve për zgjedhjet e 17 tetorit është pastruar dhe ka rezultuar me 18 mijë persona më pak.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Gazetën Sinjali, ku tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti, ka vazhduar me aktivitete të ndryshme me qëllim të pastrimit dhe saktësisë së listës votuese.
“Që nga procesi i fundit zgjedhor, KQZ-ja ka gjetur një metodë të veçantë që i shërben pastrimit dhe saktësisë të listës votuese. Nga departamenti i pensioneve që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kemi pranuar një bazë të të dhënave me emrat e personave të cilët janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes dhe zyrtarët e KQZ-së kanë dalë në teren dhe kanë verifikuar këto të dhëna”, tha Elezi.
Sipas Elezit, procesi i verifikimit në terren është bërë përmes zyrave të gjendjes civile në komuna; bashkësive lokale fetare dhe përmes përfaqësuesve të fshatrave.
“Pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, numri i personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese është 18 mijë e 252. Pjesë më e madhe e tyre, 14 mijë e 81 emra, janë larguar nga lista votuese sepse të njëjtit janë larguar nga skema pensionale”, bëri të ditur Elezi.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.