Të martën pasdite pritet të fillojë numërimi i votave të ardhura me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili theksoi se numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime që do të numërohen është 2 mijë e 379.
Në bazë të listës së publikuar nga KQZ, numri më i madh i fletëvotimeve nga jashtë Kosovës i takojnë komunës së Junikut, 670 të tilla.
“Gjatë ditës së martë, 16 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me numërimin e fletëvotimeve të cilat janë dërguar nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit, 29 tetor – 12 nëntor. Tashmë shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako. Këto fletëvotime u takojnë 19 komunave të ndryshme”, tha Elezi për EO.
Ndërkaq, KQZ-ja akoma nuk ka bërë të ditur se sa është numri i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta në 21 komunat ku u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke u zhvilluar të gjitha procedurat e parapara që gjithashtu sa më shpejt që është e mundur të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta”, tha Elezi.
Të dielën, më 14 nëntor, u mbajt procesi i votimit në 21 komuna: Gjakovë, Drenas, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamush dhe Kllokot.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.