Janë zbuluar kandidatët për çmimin e ri “Ballon d’Or Of All Time” (B.O.A.T), i cili do të ndahet me rastin e 70-vjetorit të ndarjes së parë të Topit të Artë.
Çmimi prestigjioz u nda për herë të parë në vitin 1956, ndërsa për këtë përvjetor organizatorët kanë vendosur t’u japin tifozëve mundësinë të votojnë për vitin kur, sipas tyre, është regjistruar paraqitja më e mirë individuale në historinë e këtij trofeu.
Në listën e kandidatëve janë përfshirë disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, të cilët e kanë fituar Topin e Artë në më shumë se një rast.
Lionel Messi kryeson listën me tetë vite të nominuara: 2009, 2010, 2011, 2012, 2015, 2019, 2021 dhe 2023. Argjentinasi ndiqet nga Cristiano Ronaldo, i cili është nominuar për pesë vitet kur e fitoi këtë çmim: 2008, 2013, 2014, 2016 dhe 2017.
Në mesin e kandidatëve janë edhe legjenda të futbollit si Johan Cruyff, Michel Platini dhe Marco van Basten, të cilët kanë nga tri vite të nominuara.
Lista e plotë e kandidatëve për çmimin B.O.A.T:
Lionel Messi: 2009, 2010, 2011, 2012, 2015, 2019, 2021, 2023
Cristiano Ronaldo: 2008, 2013, 2014, 2016, 2017
Johan Cruyff: 1971, 1973, 1974
Michel Platini: 1983, 1984, 1985
Marco van Basten: 1988, 1989, 1992
Ronaldo Nazario: 1997, 2002
Franz Beckenbauer: 1972, 1976
Alfredo Di Stefano: 1957, 1959
Karl-Heinz Rummenigge: 1980, 1981
Kevin Keegan: 1978, 1979
Tifozët do të kenë mundësi të votojnë për të preferuarin e tyre deri më 27 tetor, në mesnatë. Çdo votë kushton një euro, ndërsa rezultatet pritet të shpallen më 28 tetor.
Ceremonia kryesore e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 26 tetor në “London Palladium”, në Londër.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

