Ditën e djeshme në Komunën e Dragashit u zhvillua një takim i rëndësishëm pune ndërmjet kryetarit të Komunës, z. Bexhet Xheladini, dhe ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka, i cili ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij. Në këtë takim mori pjesë edhe nënkryetari nga radhët e komuniteteve, z. Fejsal Halilović.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Dragashit dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, me fokus të veçantë në ecurinë e projekteve të përbashkëta dhe mundësitë për zgjerimin e mbështetjes financiare nga MZhR-ja për komunën tonë.
Televizioni Opoja raporton se gjatë takimit u theksua rëndësia e përkrahjes së deritanishme nga MZhR-ja në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe zhvillimore, si dhe u diskutuan mundësitë për investime të reja që do të kontribuonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Dragashit.
Pas takimit në zyrën e kryetarit, delegacioni vizitoi disa lokacione të rëndësishme, përfshirë: pjesën e varrezave të komuniteteve përgjatë rrugës Dragash–Stadium, ku planifikohet ndërtimi i një muri mbrojtës; Stadiumin e qytetit; Liqenin e Breznes; paralelen e ndarë të ShFMU “Sezai Surroi” në fshatin Zym; si dhe Amfiteatrin në fshatin Bellobrad.
Kryetari Xheladini falënderoi ministrin Damka për përkrahjen dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për përmirësimin e kushteve jetësore dhe zhvillimin e përgjithshëm të Komunës së Dragashit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.