Ministria e Shëndetësisë paralajmëron masa të reja nga 1 shtatori

Opoja.net Opoja.net Kosova

Kanë mbetur edhe pesë ditë kur Qeveria e Kosovës duhet të marrë vendim për ndryshimin ose jo, apo edhe vazhdimin e njëjtë të masave kundër Covid-19.

Por, para se të merret një vendim i tillë, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, do të ketë edhe një takim me kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimin, kryetarin e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojevën dhe me akterë të tjerë të përfshirë në këtë çështje, shkruan FrontOnline.

E, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë paralajmëruar masa të reja.

Në një përgjigje për FrontOnline, në këtë institucion kanë thënë se situata epidemiologjike me Covid-19, në vend është e rënduar.

“Varësisht ecurisë në ditët vijuese mund të propozohen masa të reja, derisa disa prej masave në fuqi janë paraparë deri më një shtator, por situata aktuale epidemiologjike nuk lë hapësirë për lirim të tyre, ndërsa për ndonjë masë tjetër varet se çfarë do t’i rekomandohet ministrisë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”, thuhet në përgjigjen e MSh-së, për FrontOnline.

FrontOnline, për këtë ka folur edhe me akterë të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

Ibrahimi:  Masat do të merren varësisht nga situata me Covid

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për FrontOnline se në takimin që do të kenë me ministrin Vitia do të shihet se çfarë vendimi do të merret.

“Në takimin që e kemi pasur me ministrin Vitia, jemi dakordu që pas dy jave të rishqyrtohen masat do të thotë të shikohet gjendja aktuale në terren dhe në bazë të analizave që bëjnë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të takohemi edhe njëherë dhe ta shqyrtojmë mundësinë se çka duhet të ndodhë rreth masave. Ende nuk dihet se kur do të takohemi, por në parim jemi pajtu që çdo dy javë të takohemi bashkë në mënyrë që të shikohet situata në terren dhe varësisht prej situatës atëherë të ndërmerren masa”, ka thënë ai për FrontOnline.

I pyetur se a do të jenë pro asaj që të merren masa më të ashpra, duke parë numrin e lartë të të infektuarve ditëve të fundit, Ibrahimi nuk ka dashur të japë përgjigje.

Por, ka thënë se komunat duhet të njoftohen për çfarëdo lloj mase që merret.

“Nëse ka bashkëpunim me komunat edhe zbatueshmëria e masave është më e lehtë, në të kundërtën është pak ma problem se nëse komunat nuk njoftohen se çka do të ndërmerret, çfarë mekanizma duhet me u përdorë për me ndërmarr masa antiCovid, pra bashkëpunimi sjellë edhe fryte, në të kundërtën nëse s’ka bashkëpunim atëherë edhe situata nuk do të jetë më e mirë”, është shprehur Ibrahimi, për FrontOnline.

Paralajmërohen protesta nëse vendi shkon drejt mbylljes totale

E, protesta ka paralajmëruar kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva në rast se merret ndonjë vendim për mbyllje totale.

“Ne mbyllje nuk lejojmë kurrsesi, hiq në asnjë formë. Nuk e parashohim absolut në asnjë formë . Nëse merret vendimi për mbyllje atëherë mund të reagojmë, mundet me pas edhe protesta, pra mundet me pas çdo formë të ndryshme të reagimeve”, ka deklaruar Sogojeva, për FrontOnline.

Sogojeva, duke folur për gjendjen me Covid-19 në Kosovë, ka thënë se nëse vazhdon situata e njëjtë me numër të lartë të të vdekurve dhe të të infektuarve, atëherë masat nuk guxohet të ndryshohen.

“Nëse vazhdon situata e njëjtë ne nuk guxojmë me i ndryshu masat, nuk guxojmë me i liru. Pra unë kisha thënë që me e rujt këtë masë, e mos me i dëmtu bizneset , duhet me pas parasysh edhe situatën e  bizneseve”, është shprehur ndër të tjera Sogojeva.

Qeveria e Kosovës më 18 gusht ka miratuar masat e reja kundër Covid-19.

Me masat e reja e të cilat kanë hyrë në fuqi nga 20 gushti, janë mbyllur klubet e natës e janë ndaluar, ahengjet familjare si dasma e fejesa.

Po ashtu është shkurtuar edhe orari i gastronomisë, ndërsa është ndaluar edhe hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë./FrontOnline

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-