Mjekët e rinj po largohen nga Kosova, “ky do të jetë viti i përfundimit të pandemisë”

Opoja.net Opoja.net Kosova

Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) e sheh si shqetësues trendin e largimit të mjekëve jashtë Kosovës, sidomos të kuadrove të reja. Vetëm në janar, më shumë se 20 mjekë të rinj specializantë e kanë lënë vendin, duke kërkuar jetesë dhe kushte më të mira të punës, ka bërë të ditur kryetari i Odës së Mjekëve.

E një lajm optimist vjen sa i përket pandemisë. Infektologu Ilir Tolaj beson që 2022-ta do të jetë viti i fundit që do të flitet për pandeminë.

Kryetari i OMK-së, Pleurat Sejdiu, në një bisedë me Ekonomia Online thotë se fatkeqësisht, numri i mjekëve që po largohen nga Kosova është duke u rritur. “Arsye shtesë është se ata nuk po shohin diçka për të ardhmen e zhvillimit të sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve të tyre, qoftë të shkollimit qoftë të kushteve të punës”.

“Shifrat janë duke u rritur dhe vetëm në janar kemi mbi 20 mjekë të rinj specializantë që janë larguar”, tha Sejdiu.

Edhe infektologu Ilir Tolaj vlerëson se largimi i personelit shëndetësor po ndodh për shkak të kushteve joadekuate të punës.

“Lëvizjet e kuadrit shëndetësor janë prezente kudo në botë, nuk është se po ikin vetëm nga Kosova. Në vendet që nuk kanë perspektivë të qartë dhe të cilat kanë një organizim joadekuat si të sistemit shëndetësor, ashtu edhe të sistemeve të tjera, mjekët kërkojnë një shans dhe jetë më të mirë diku tjetër”, thotë Tolaj, për EO.

“Çka duhet të bëhet është që të punohet që të përmirësohet jeta dhe funksionimi i shoqërisë në Kosovë, duke përfshirë edhe sistemin shëndetësor”, thekson ai.

Tolaj dhe Sejdiu kanë folur edhe për situatën me pandeminë, duke u shprehur optimistë se asaj po i vjen fundi. Ata bëjnë thirrje që qytetarët duhet të marrin vaksinat, përfshirë dozën përforcuese. Sugjerojnë që edhe fëmijët të imunizohen.

Infektologu Tolaj beson se 2022-ta do të jetë viti i përfundimit të pandemisë. “Besoj që është viti i fundit që do të flasim për pandeminë. Më pas do të ketë infeksione sporadike, endemike… Interesimi për sëmundjen do të bjerë, sepse shumica do ta kalojnë me pak simptoma. Dhe mendoj që ky është viti i përfundimit të pandemisë”.

Por Tolaj sugjeron që popullata, madje dhe fëmijët të vaksinohen. “Do të duhet të shikohet çfarë do të jetë e ardhmja e Covid-19. Në qoftë se do të kalojmë në një fazë ku infeksioni do të jetë endemik, atëherë nevoja për të vaksinuar fëmijët deri në moshën 5 vjeç nuk do të jetë më prezentë”.

“Doza e tretë është jashtëzakonisht e efektshme, sepse rrit nivelin e mbrojtjes nga Omicron”, tha Tolaj.

Vlerësimi i Tolajt është se shkollat nuk është dashur ta ndërpresin mësimin, por është dashur të vazhdojnë punën, pavarësisht paraqitjes së rasteve të shumta, sidomos gjatë janarit. “Është dashur të izolohen vetëm rastet e identifikuara, por jo të tjerët”.

Edhe kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, është optimist se Covidi do të bëhet një virus “normal” dhe i menaxhueshëm.
“Shpresoj në atë çka epidemiologët tanë janë duke e paraparë; që mund të ketë valë të reja, por çdo gjë është duke shkuar kah përfundimi, apo kalimi në një virus normal, që mund të menaxhohet. Shpresojmë të jetë një valë e fundit e sulmit masiv”, ka thënë Sejdiu.

Ai bën thirrje për vaksinim masiv. “Është për t’u habitur mënyra se si jemi duke e mohuar dozën e tretë. Në një kohë kur nuk kishim vaksina e akuzonim qeverinë dhe çdo institucion dhe tani kur i kemi të mjaftueshme nuk vaksinohemi. Unë mendoj se qeveria duhet të vendosë kufizime të cilat sanksionojnë qasjen në objekte dhe shërbime të atyre të cilët nuk vaksinohen”.

“Përveç masave restriktive të qasjes në shërbime, asgjë tjetër nuk mund të bëhet, sepse fatkeqësisht jemi duke u treguar të pakujdesshëm dhe vetëm këto masa mund të stabilizojnë gjendjen”, përfundon Sejdiu.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-