MSH-ja tërheq komunikatën me fusnotë nga Greqia

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës është bërë pishman pasi publikoi për pak orë të shtunën një komunikatë të Ministrisë së Shëndetësisë së Greqisë, e në të cilën emri i Republikës së Kosovës paraqitej me fusnotë. Postimi që e paraqiste Kosovën me fusnotë është fshirë më vonë nga faqja e MSH-së.

“Vizita e ministrit të Shëndetësisë së Kosovës*, Dr. Rifat Latifi në Athinë, 20-22 shtator 2022”, thuhej në gjuhën angleze, në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë në Greqi, e të ripublikuar nga faqja e MSH-së së Kosovës në Facebook të shtunën rreth orës 11:00.

Komunikata njoftonte për takimet e ministrit Latifi me homologun grek dhe zyrtarë të tjerë. Në fund të komunikatës ishte vënë sqarimi për fusnotën se fusnota “është vënë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.

Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet. Muajve të fundit është raportuar për përafrim qëndrimesh mes shteteve e se Greqia mund të jetë më afër se shtetet tjera mosnjohëse për ta njohur Kosovën.

Fusnota për shumë kohë pati nxitur debat në vend. Ishte Lëvizja Vetëvendosje, atëkohë në opozitë, që kritikonte ashpër pushtetin për këtë çështje. Vënien e fusnotës kryeministri aktual, Albin Kurti, më 2012 e pati quajtur “tradhti shtetërore”.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-