Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, u ka bërë thirrje besimtarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bashkësia Islame e Kosovës, njoftoi se Tërnava ka marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19.
“Ai e ka quajtur të paarsyeshme çdo tentim për të arsyetuar refuzimin e vaksinimit, ndërsa potencoi se besimtarët janë të obliguar t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për vaksinim”, thuhet në postimin e BIK-ut.
Situata epidemiologjike në Kosovë është përkeqësuar që nga fundi i muajit korrik dhe fillimi i gushtit. Në Kosovë të premten janë regjistruar edhe 30 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Infektologu, Xhevat Demiri, i tha Radios Evropa e Lirë se situata me pandeminë është shumë e rëndë dhe kërkohet një vetëdijesim i qytetarëve për respektim të masave kundër COVID-19 dhe për vaksinim kundër kësaj sëmundjeje.
“Pasojë e kësaj situate të rëndë me pandeminë është në radhë të parë mosrespektimi i masave kundër COVID-19. Çdo ditë e më shumë kemi grumbullime që rrezikojnë situatën. Vaksinimi është i ulët. Por, është edhe një faktor tjetër që një pjesë e popullsisë vazhdon të mos besojë që ka virus”, thotë ai.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të premten se numri i vaksinave të dhëna në Kosovë ka arritur në një milion.
Me të dyja dozat e vaksinës, deri të premten në mesditë, janë vaksinuar 351,475 qytetarë të Kosovës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.