Ndahen mirënjohje për mësimdhënësit e pensionuar gjatë këtij viti

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Drejtori i Arsimit Vloran Cenaj në mbështetje të kompetencave të tij ligjore dhe në pajtim me rekomandimin e kryetarit të komunës z.Shaban Shabani ka miratuar vendimin për ndarjen e mirënjohjeve për mësimdhënësit e pensionuar nga data 01 Janar 2017 deri me 07 Mars 2018.

Ndihem i nderuar që gjendem këtu mes jush dhe i lumtur që urimin e festës së 7 marsit, festës që nderon punën tuaj kaq fisnike dhe të dashur për të gjithë, ta përcjellë sot nga detyra e drejtorit të arsimit.

Komuna jonë me traditë të lartë në përcjelljen e dijes dhe kulturës, ka nxjerrë veprimtarë dhe arsimdashës të mëdhenj që me kontributin e tyre të vyer kanë mundur që të themelojnë sistemin arsimor në trevën tonë, duke i rritur vlerat e ushtrimit të detyrës së dijes në vendin tonë edhe në momente të errëta për vendin, kur dëshira dhe e drejta për dije ishte më shumë se kaq, ishte zëri i një populli të tërë për liri.

Sot, sfida jonë është garantimi i cilësisë në arsim, si një domosdoshmëri në kuadrin e integrimit dhe arritjeve të standarteve europiane.
Ne jemi vullnetplotë dhe të angazhuar që mësuesit t’i rikthehet roli dhe figura e tij, habitati i tij natyral që këtij profesioni fisnik i ka hije, duke u trajtuar me autoritet, respekt, dashuri dhe duke e lartësuar detyrën e tij. Për ne, vlerësimi dhe trajtimi i mësuesit është një prioritet, pasi vetë mësuesi është zemra e përcjelljes së dijes brenda institucionit arsimor.

Ndaj, më lejoni që në këtë 7 Mars, një ditë e shenjtë për të gjithë mësuesit e të të gjitha niveleve, t’ju bëj një thirrje publike të gjithë arsimtarëve dhe arsimdashësve shqiptar të kudogjendur, që njohuritë e tyre t’i vendosin në shërbim të zhvillimit të dijes e dialogut gjithëpërfshirës për të kontribuar së bashku në një vendimmarrje sa më cilësore, pasi për zhvillimin e vendit politika më e mirë ekonomike është arsimi. Politikë e cila do të dërgojë e do të konsolidojë të ardhmen e suksesshme të gjeneratës së re të shqiptarëve, një gjeneratë që me formimin e saj do të projektojë një qytetari me vlera demokratike të standarteve evropiane.

Mësues të dashur kudo që ndodheni, brenda dhe jashtë vendit, ju përkulem sot, këtu, përpara jush në shenjë respekti dhe mirënjohje për gjithë punën tuaj, sakrificat e mundin në profesionin tuaj kaq fisnik dhe dinjitoz, siç është profesioni i mësimdhënies , duke ju uruar “Gëzuar festën tuaj, 7 Marsin”.
Lejomëni ta mbyll fjalën time me thënien e Naimit: “Dhe drita e diturisë përpara do të na dërgojë”. E pra të dashur miq, së bashku ta ndriçojmë sa më shumë atë dritë, pasi ky është detyrimi ynë njerëzor e patriotik ndaj popullit tonë, atdheut dhe brezave tanë të rinj.
Faleminderit dhe gëzuar për të gjithë mësimdhënësit!

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-