Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Dragashit, Komuna ka organizuar një ceremoni simbolike ku janë nderuar zyrtarët që kanë dalë në pension gjatë vitit të kaluar nga administrata komunale, arsimi dhe shëndetësia.
Në këtë ceremoni, Kryetari i Komunës, z. Xheladini, ka pranuar dhe ka prezantuar dhurata për secilin prej tyre si shenjë mirënjohjeje për kontributin shumëvjeçar në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve të komunës.
“Me përkushtim dhe ndershmëri i keni shërbyer Komunës sonë, qytetarëve tanë dhe gjeneratave të shumta për dekada me radhë,” theksoi Kryetari Xheladini në fjalën e tij, duke shtuar se ky kontribut nuk do të harrohet kurrë dhe do të mbetet pjesë e trashëgimisë së përbashkët të Dragashit.
Ai u uroi të gjithë të pensionuarve shëndet, paqe dhe gëzime në vitet në vijim, duke theksuar se komuna dhe qytetarët e saj do të jenë gjithmonë krenarë për punën dhe përkushtimin e tyre.
Ceremonia përmbylli me një atmosferë të ngrohtë dhe falënderime nga të pranishmit, duke e bërë këtë Ditë Çlirimi edhe më të veçantë për të gjithë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.