Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se nga 1 nëntori 2026 do të nisin kontrollet ndaj bizneseve që operojnë online në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka bërë të ditur se të gjitha bizneset që shesin produkte apo ofrojnë shërbime përmes internetit duhet ta përfundojnë regjistrimin dhe të pajisen me certifikatën e regjistrimit të biznesit deri më 31 tetor 2026.
Sipas Kusari-Lilës, kontrollet do të kryhen nga inspektorët përkatës ndaj bizneseve online dhe kompanive postare, me qëllim të verifikimit të dokumentacionit dhe zbatimit të kërkesave ligjore.
Ajo ka theksuar se formalizimi i tregtisë online është i rëndësishëm për mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjitha bizneset.
“Nuk mund të ketë konkurrencë të drejtë kur disa biznese i respektojnë rregullat, ndërsa të tjerat i shmangin ato”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ministrja u ka bërë thirrje bizneseve që ta përfundojnë regjistrimin brenda afatit, duke theksuar se kërkesat ligjore vlejnë për të gjithë, pa përjashtim.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

