Transmetohet se një
mbret ishte sëmurë rëndë. Në pallatin e tij ishin tubuar të gjithë mjekët nga
mbretëria për ta shëruar. Ata arritën në përfundimin se i vetmi ilaç ishte, që
mbretit t’i transplantohej një mëlçi e një njeriu me kualitete të veçanta.
Mbreti i urdhëroi njerëzit
e mbretërisë së tij, që të dilnin dhe ta kërkonin një njeri që i plotësonte
kushtet e përmendura. Më në fund, ata arritën ta gjenin. Ai ishte një djalë i
ri. Mbreti i thirri prindërit e tij, dhe ju ofroi atyre një shumë të madhe
parash, nëse ata do të pranojnë që ta sakrifikojnë djalin e tyre, që mbreti të
shërohej.
Prindërit ranë
dakord që djali i tyre të vritej, në mënyrë që mëlçia e tij të transplantohej
te mbreti, dhe që mbreti të shërohej. Mbreti, atëherë, e thirri edhe kadiun për
ta pyetur nëse lejohej ta vriste të riun për t’ia marrë mëlçinë. Kadiu e
aprovoi këtë pa u menduar, dhe mori vendim që djaloshi duhej të vritej, që
mëlçia e tij të merrej për kurimin e mbretit.
Më në fund, ata e
sollën djaloshin në vendin e ekzekutimit.
Mbreti doli për ta
parë, para se ekzekutuesi (xhelati) t’ia presë kokën. Derisa po e priste
ekzekutimin, djaloshi e shikoi ekzekutorin, pastaj shikoi kah qielli dhe qeshi!
Mbreti u befasua nga
një veprim i tillë, kështu që iu afrua djaloshit dhe e pyeti: “Pse po
qesh, kur së shpejti do të vritesh?”
Djaloshi u përgjigj:
“Detyra e prindërve është që të jenë të dhembshur ndaj fëmijës, detyra e
kadiut është që të gjykojë me drejtësi, kurse detyra e mbretit është që t’i
falë njerëzit. Sa u përket prindërve të mi, ata i mashtroi pasuria e dynjasë,
kështu që ata ta dorëzuan shpirtin tim. Ti e pyete kadiun për këtë, dhe ai pati
frikë nga mbreti, jo nga Allahu, dhe e lejoi gjakun dhe vrasjen time. Kurse ti,
o mbret, po e sheh shërimin tënd në vrasjen time. Nga të gjitha këto, unë nuk
pata strehim tjetër përveç Allahut, kështu që ngrita kokën lart kah qielli dhe
qesha, i kënaqur me caktimin e Tij, çfarëdo qoftë ai.”
Fjalimi i djaloshit
e preku mbretin aq shumë, sa që filloi të qajë, pastaj tha:
“Është më mirë
që unë të vdes kështu i sëmurë, sesa të vras një njeri të pafajshëm, në
mënyrë që jeta ime të zgjatet.”
Pastaj ai iu afrua djaloshit
dhe e puthi në ballë, dhe urdhëroi që t’i jepen dhurata me bollëk!
Nuk kaluan as 7 ditë
nga ajo kohë, dhe mbreti u shërua plotësisht.
Kush lë diçka në emër
të Allahut, Allahu ia zëvendëson atë me atë që është më mirë për të.
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.