Sot, kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, priti në takim drejtorin e ShFMU “Ilmi Bahtijari” në Blaç, z.Zijadin Meleqi, të shoqëruar nga mësimdhënësi Fesal Mehmeti dhe nxënësit e kësaj shkolle. Këta nxënës dolën fitues të garës së diturisë të organizuar në kuadër të projektit “Sun is Our Power”, i cili zbatohet nga Balkan Green Foundation, duke i dhënë një mundësi të artë për të forcuar njohuritë e tyre në fushën e energjisë së qëndrueshme dhe mbrojtjes së mjedisit.
Në këtë garë morën pjesë nxënësit e katër shkollave të Komunës së Dragashit: ShFMU “Ilmi Bahtijari” në Blaç, ShFMU “Shaban Shabani” në Llopushnik, ShFMU “Fetah Sylejmani” në Dragash dhe ShFMU “Zenuni” në Brod. Aktivitetet paraprake përfshinë disa punëtori mjedisore të organizuara nga Balkan Green Foundation, të cilat i ndihmuan nxënësit të kuptojnë më thellë rëndësinë e energjisë së pastër dhe ruajtjes së natyrës.
Si rezultat i përkushtimit dhe dijes së treguar nga nxënësit e saj, ShFMU “Ilmi Bahtijari” fitoi një grant për instalimin e panelave diellore me kapacitet 5 kWp. Ky projekt do të kontribuojë në përdorimin e energjisë së pastër dhe do të shërbejë si një shembull për të gjitha shkollat e tjera në komunë.
Kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, uroi stafin dhe nxënësit për arritjet e tyre, duke theksuar se me punën dhe njohuritë e tyre, ata kanë bërë krenarë jo vetëm shkollën e tyre, por edhe të gjithë komunitetin lokal. Ai shprehu mbështetjen e tij për projekte të tilla që edukojnë brezat e rinj dhe promovojnë qëndrueshmërinë mjedisore.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.