Pranvera është stina e vitit kur fara hidhet në tokë. Kjo është koha kur jeta lulëzon, kur çdo gjë zgjohet dhe njeriut i ofrohet mundësia që të përgatitet për stinët e tjera. Rinia është pranvera e jetës njerëzore. Andaj duhet shfrytëzuar çdo moment dhe duhet bërë sa më shumë punë të mira, në mënyrë që pjesa e mbetur e jetës, por edhe amshimi, të jenë kohë e një jetese të këndshme.
Pejgamberi ynë (savs) na nxit, madje na urdhëron, që ta shfrytëzojmë rininë përpara pleqërisë.
Ibrahimi a.s. ishte djalosh kur vendosi t’i thyejë idhujt dhe të luftojë për besimin e vërtetë. “Kemi dëgjuar një djalosh që i përgojonte ata, quhej Ibrahim.” (el- Enbija, 60).
Jusufi a.s. ishte djalosh kur me vendosmëri iu kundërvu ftesës për mëkat dhe thirri: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato.” (Jusuf, 33).
Musai a.s. ishte djalosh kur iu kundërvu Faraonit, kur doli në mbrojtje të popullit të tij dhe kur e udhëhoqi atë popull drejt shpëtimit.
Në suren el-Kehf, Allahu i Plotfuqishëm na tregon për një grup të të rinjve, të cilët besuan në Zotin e tyre “Dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë.” (el-Kehf, 13). Kjo është historia e të rinjve besimtarë në kohën kur sundimtari i vendit të tyre i vriste besimtarët. Ata ikën dhe u strehuan në shpellë. Me vullnetin e Allahut fjetën aty, ndërsa ndjekësve u dukeshin si të vdekur, dhe kështu Allahu i shpëtoi falë besimit të tyre të palëkundur.
Muhamedi a.s. ishte djalosh kur i udhëhiqte karvanet tregtare drejt Shamit dhe kur u quajt el-Emin (Besniku). Që atëherë e nderonin në Mekë dhe e thirrën të gjykonte mes fiseve se kush dhe si do ta vendoste Gurin e Zi (Haxherul Esved) në Qabe.
Kur erdhi Islami, ja sa ishte mosha e disa prej sahabëve:
- Ebu Bekri r.a. ishte: 37 vjeç
- Omeri r.a. ishte: 27 vjeç
- Osmani r.a. ishte: 34 vjeç
- Aliu r.a. ishte: 10 vjeç
- Talha bin Ubejdullahu: 14 vjeç
- Zubejr bin Avvami ishte: 16 vjeç
- Sa’d bin Ebi Vekkasi: 17 vjeç
- Seid bin Zejdi ishte: 15 vjeç
- Ebu Ubejde ishte: 17 vjeç
- Abdurrahman bin Avf: 30 vjeç
Është me rëndësi të përmendet se para vdekjes, Pejgamberi (savs) e vendosi Usame bin Zejdin, një djalosh 18-vjeçar, në krye të ushtrisë që po e dërgonte në Siri.
Ibni Abasin (r.a.), si djalosh, e përmes tij mbarë rininë dhe njerëzimin, Pejgamberi (savs) i porositi: “O djalosh, do t’i mësoj disa fjalë, mbaji mend mirë: Ruaje Allahun, Ai do të të ruajë ty. Ruaje Allahun, do Ta gjesh Atë pranë teje. Kur të kërkosh diçka, kërkoje prej Allahut. Kur të kërkosh ndihmë, kërko ndihmë prej Allahut…” (Tirmidhiu).
Oj rinia jonë e dashur, shikoni të gjithë këta shembuj që Krijuesi na sjell në Shpallje, dhe të gjithë ata njerëz të gjeneratës së parë të muslimanëve, të cilët rininë e tyre ia vunë në shërbim Islamit dhe të mirës.
Rinia është pranvera e jetës sonë dhe kurrsesi nuk duhet ta lëshojmë rastin që në këtë moshë pjellore ta mbjellim thellë në veten tonë besimin dhe gatishmërinë për sakrificë vetëmohuese, në mënyrë që t’i shërbejmë të mirës dhe t’i ndjekim gjurmët e pejgamberëve të përmendur. Pejgamberët janë modeli dhe shembulli ynë se si duhet të sillemi, ndërsa sahabët e kaluan kohën e tyre me më të zgjedhurin prej tyre dhe me jetët e tyre treguan se, duke ndjekur rrugën në të cilën ai (savs) na thërret, arrihet suksesi në të dyja botët.
Detyra e të rinjve është që ta njohin fenë dhe ta praktikojnë atë brenda kufijve të mundësive të tyre. Duke iu drejtuar atyre, a nuk thotë Pejgamberi (savs): ‘Ruaje Allahun dhe Ai do të të ruajë ty; ruaje Allahun, do ta gjesh Atë para teje’. Ta njohësh fenë do të thotë ta njohësh esencën dhe gjerësinë e saj, e kurrsesi të mos mendosh se feja kërkon që të mbyllesh në vetvete, që të tërhiqesh nga shoqëria apo që ta kufizosh jetën tënde vetëm brenda xhamisë. Feja nuk e lejon as mburrjen me të; që pasi ta kesh kaluar vetë pragun e xhamisë, t’i detyrosh të tjerët me forcë të hyjnë në të. Një proverb thotë: ‘Fetaria e vërtetë është që të mos mburresh me fetari.”
Rinia muslimane tubohet në xhami, por ajo tubohet edhe në biblioteka, teatro e fusha sporti. Rinia jonë, duke i shërbyer Islamit dhe duke dëshiruar ta ndihmojë umetin, tubohet në fakultete, në institute, tubohet rreth organizatave humanitare dhe angazhohet vullnetarisht në to, duke i ndihmuar vëllezërit dhe motrat. Tubohet edhe në ara dhe në çdo aksion për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Tubohet edhe për t’i treguar padrejtësitë dhe lëshimet në shoqëri.
Rinia jonë muslimane shoqërohet me namazin, por edhe me librin dhe penën. Shoqërohet në aktivitete sportive, por edhe punojnë bashkë dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin për të mbjellë, për të korrur dhe për të germuar… Është detyrë e rinisë sonë që ta dijë se i përket umetit më të mirë, edhe pse tani, për shkak të sprovave nëpër të cilat po kalojmë, nuk duket ashtu. Pikërisht tubimet e tyre në xhami, në bibliotekë, në teatër, në fakultet dhe në punë, do të bëjnë që ky umet të jetë përsëri vërtet i pari dhe më i miri. Umeti këtë e pret prej jush, oj rinia jonë.
Umeti po ju pret juve, jo që të ngriheni në demonstrata për shkak të qëndrimeve të të tjerëve ndaj Islamit, por që me punën tuaj, mundin, mësimin dhe besimin, ta pikturojmë imazhin më të bukur të fesë sonë dhe ta ndërtojmë bashkërisht një të ardhme, një të ardhme të sigurt për mbarë njerëzimin.
Oj rinia jonë, vajza dhe djem, ku po e kërkoni shpëtimin? Me kë po shoqëroheni dhe kush po punon me ju? Prej të gjithëve pritet që të punojnë me të rinjtë. Unë do të thosha se, mbi të gjitha, të rinjtë duhet të punojnë me të rinjtë. Me të rinjtë duhet të punohet në familje, në shkollë, në xhami. Politika dhe pushteti duhet të punojnë me të rinjtë dhe t’u mundësojnë përmbajtje në shoqëri që do t’i bëjnë ata më të fuqishëm dhe më të fortë në rrugën e së mirës. Islami e nxit sportin, e nxit arsimimin dhe kulturën.
Prandaj, oj rinia jonë, bashkohuni dhe mblidhuni për të promovuar libra, për të organizuar tubime ku nuk mësohet vetëm feja. Islami është më shumë se një ligjëratë apo një tribunë. Ato ligjërata vetëm për fenë janë bërë tashmë të tepërta. Na duhen ligjërata për gjuhën, për historinë, për atdheun, për shëndetin. Na duhen ligjërata edhe nga pedagogjia, psikologjia, filozofia… E gjithë kjo është Islam. Duhet që të përfshiheni edhe në luftën politike, që t’u afroheni partive politike – jo për t’u bërë servilë për një vend pune, sepse kjo është poltronizëm – por për t’i ndryshuar gjërat në shoqëri dhe për ta krijuar të ardhmen për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.
Puna me të rinjtë nuk është vetëm në xhami. Në fakt, këta të xhamisë duhet të shkojnë tek ata që ende nuk e kanë kaluar pragun e xhamisë. Duhet t’u shkojnë, jo që t’i thërrasin në xhami në mënyrë të trashë dhe të paaftë, por që duke u shoqëruar me ta dhe duke marrë pjesë në aktivitetet dhe përmbajtjet e tyre, të cilat natyrisht nuk janë haram, t’i sjellin në xhami me sjelljen e tyre, dhe që atë që xhamia është vërtet, ta përhapin jashtë oborrit të xhamisë.
Kush duhet të punojë me të rinjtë? Imamët, po, imamët, por edhe babai dhe nëna, edhe vëllai dhe motra, edhe mësuesi dhe arsimtari, edhe profesorët, edhe partitë politike, edhe deputetët e popullit, edhe kryetari i komunës edhe shërbimet e tij, edhe kryetari i bashkësisë lokale. Të gjithë, edhe shumë të tjerë të papërmendur, janë të detyruar që ta hapin veten dhe t’ua ofrojnë të rinjve të gjitha resurset e disponueshme, në mënyrë që ky umet të jetë përsëri umet i lumturisë, i mirëqenies, i sigurisë, dhe që vendi ynë të jetë vërtet i yni.
Sa vjeç ishte Omeri (r.a.) kur erdhi Islami? Sa vjeç ishte Aliu (r.a.)? Rinia është periudha më pjellore e jetës. Mos lejo, oj vajzë dhe o djalë, që rinia jote të mbulohet nga ferrat e mëkatit dhe të veseve, që ara e jetës sate të mbetet e shkretë, ndërsa umeti të mbetët i privuar nga kontributi yt për përparimin e tij.
O Allahu i Lartësuar, na ndihmo në çdo punë të mbarë dhe përforcoje rininë tonë në rrugën e së vërtetës! Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampess)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

