Pas vendosjes së tarifave prej 10% nga SHBA-ja për produktet nga Kosova, Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme për një marrëveshje për tregti të lirë, pa barriera tarifore. Ministria e Financave ka deklaruar se është në kontakt me autoritetet amerikane, ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të tarifave.
Përplasjet politike mes Presidencës dhe Ministrisë së Financave kanë shkaktuar reagime të ashpra. Komuniteti i biznesit mbështet fuqishëm heqjen e tarifave për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet me SHBA-në.
Ministria e Financave ka thënë për RTK-në se janë në komunikim me autoritetet amerikane dhe se janë të gatshëm për tregti të lirë, pa asnjë barrierë tarifore me SHBA-në.
“Qeveria e Kosovës ka qenë dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet amerikane për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë institucionale dhe të koordinuar. Gatishmëria e Qeverisë dhe shtetit të Kosovës për të pasur tregti të lirë e pa asnjë barrierë tarifore apo jotarifore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të qëndrojë edhe më tej”, ka thënë Ministria e Financave.
Po ashtu, ministria ka theksuar se ky qëndrim mbështet parimin e presidentit Trump për tregti të lirë e pa barriera dhe se një marrëveshje për tregti të lirë mund të shërbente për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në.
Në një deklaratë të bërë publike, presidentja Osmani ka kërkuar pezullimin e tarifave, duke thënë se ky veprim është i nevojshëm për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në. Kërkesa e presidentes nuk është pritur mirë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili e ka quajtur kërkesën si të bërë pas orarit zyrtar dhe ka shtuar se shteti trajton këto çështje larg mediave.
Reagimi i këshilltarit të presidentes, Bekim Kupina, ka qenë i menjëhershëm. Ai ka thënë se Murati është “njeriu i fundit” që mund të flasë për seriozitetin në udhëheqjen e shtetit, duke shtuar se, sipas Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme përcaktohen nga Presidenca dhe jo nga Ministria e Financave.
Komuniteti i biznesit, përfshirë Oda Ekonomike Amerikane, Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Biznesit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe partitë e opozitës, kanë mbështetur kërkesën e presidentes për heqjen e tarifave. Sipas tyre, çështjet që kontribuojnë në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve nuk duhet të bëhen objekt i polemikave politike.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.