Opsione të ndryshme për kompensimin e orëve të humbura mësimore

Opoja.net Opoja.net Kosova

Pas vendimit për shtyrjen e fillimit të viti të ri shkollor, Sindikata e Arsimit kërkon sqarim nga ministria për shtyrjen dhe pse mësimi nuk po fillon përmes platformave online.

Njohës të fushë së arsimit, kanë mendime të ndryshme rreth mbajtjes ose jo të mësimit online.

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të kenë shumë ditë të humbura të këtij viti shkollor me shtyrjen e vitit të ri shkollor.

Kështu thotë kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj, i cili pret sqarim nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci se pse nuk u vazhdua mësimi online.

“Mbase do të takohem me ministren e Arsimit, Nagavci, apo ajo do të dalë në ndonjë konferencë për media për të treguar pse nuk u fillua mësimi në platformën online. Me këto shtyrje, dihet se do të kemi mjaft ditë të humbura të mësimit dhe pastaj do të kemi telashe për t’i zëvendësuar ato. SBASHK-u megjithatë do të përkrahë vendimet e institucioneve dhe më pas së bashku do të shohim si do të veprojmë për t’i kompensuar ditët e humbura”, deklaroi Rrahman Jasharaj.

Për njohësin e çështjeve të Arsimit, Jonuz Salihajn, mësimi do të ishte më mirë të vazhdojë në platformën online.

“Dihet që mësimi në shkolla nuk mund të zëvendësohet me asgjë, por do të duhej të mos humbej asnjë ditë dhe të vazhdohej me variantet rezervë. Kjo nuk po ndodh. Kjo është papërgjegjësi dhe tashmë e kanë gjetur një fajtor e ai është IKSHPK. Megjithatë pasojat më të mëdha do t’i bartë komuniteti dhe ne prindërit”, tha ai.

Mirëpo eksperti tjetër i Arsimit, Rinor Çehaja thotë se mësimi online nuk është treguar i efektshëm në Kosovë.

“Shtyrja e procesit mësimorë nuk duhet të nënkuptojë kthimin e mësimit në variantin online. Është më mirë që orët e humbura të zëvendësohen gjatë kalendarit mësimor. Është vërtetuar që mësimi online nuk ka qenë efektiv dhe për këtë është më mirë të pritet rikthimi i nxënësve në shkolla”, deklaroi Qehaja për RTV 21.

Pas një takimi virtual që zyrtarët nga Ministria e Arsimit kanë pasur me kryetarët e komunave, u rekomandua që mësimi të shtyhet deri më 26 shtator.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-