Osmani e ashpër ndaj Vuçiqit: Viktimat e regjimit të Millosheviqit janë këtu, merr pak kohë e kërkoju falje

Opoja.net Opoja.net Kosova

20:30 – Osmani refuzoi të hynte në sallën e KS të OKB-së pa gratë heroina

Situata në Kosovë u diskutua në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Vendi u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

Bashkë me shefen e shtetit, në delegacion ishin edhe katër gra heroina të mbijetuara nga lufta e fundit në Kosovë.

Në hyrje të sallës ku mbahet seanca e KS të OKB-së ekipi kosovar pati një telashe të vogël.

Siç mëson Klankosova.tv, gratë heroina nuk janë lejuar të hynin fillimisht, pavarësisht se ishin të regjistruara si pjesëmarrëse.

Mirëpo, nga Zyra e Presidentes për Klankosova.tv thanë se Osmani refuzoi të hynte në sallë pa to.

Më pas, Vasfije Krasniqi, Shyrete Tahiri – Sulimani, Fahrije Hoti dhe Elhame Muçolli, u lejuan të marrin pjesë në seancën e KS të OKB-së.

______________________________________________________________________________________________________

19:46 – Osmani e ashpër ndaj Vuçiqit: Viktimat e regjimit të Millosheviqit janë këtu, merr pak kohë e kërkoju falje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë kritike tej mase ndaj presidentit serb, Aleksandar  Vuçiq, ajo i tha atij se duhet t’u kërkojë falje viktimave të luftës në Kosovë, duke përmendur katër heroinat Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, që ishin të pranishme sot në seancën e KS të OKB-së.

Po ashtu, ajo e ka pyetur Vuçiqin se a ndihet keq për të kaluarën që ishte pjesë e një kabineti qeveritar të ‘Kasapit të Ballkanit’, Sllobodan Millosheviq.

” Ajo çka deklaroi Vuçiq nuk është e vërtet. U ftoj të gjithëve të vizitoni Kosovën të shihni vet përparimin që kemi bërë demokracinë që është në zhvillim e sipër mund të kuptoni dhe vendosni nëse doni t’u besoni syve tuaj apo gënjeshtrave të tij”.

“Unë nuk fola për të kaluarën, unë fola për Kosovën. E tashmë Kosova e sotit është e ndërtuar mbi dhimbjet e së kaluarës për një arsye të vetme për shkak të mungesës së drejtësisë. Të gjithë e dimë dhe e kemi mëusar nga historia se paqja kërkon të përballemi me të kaluarën në këtë kuptim në vend që të shpërndajë propagandë Vuçiqi sot është dashtë të na tregoj se nëse ai se nëse është pajtuar se nuk duhet të ishte pjesë e atij regjimi që ka vrarë 150 mijë civilë. A ndihet keq për të kaluarën dhe gjenocidin që ka shkaktuar parlamenti i tij?”, ka thënë Osmani

“Viktimat e atij regjimi Vuçiq janë këtu, merr pak kohë kërko falje. Tregoju të gjithë nëse ke një shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”, ka thënë Osmani.

Kjo deklaratë e Osmani ishte pasi Vuçiqi tha se Kosova nuk po e zbaton marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe tha se Kosova në listat e votuesve ka shtuar një numër të madh të serbëve që nuk kanë pasë të drejtë vote./Klankosova.tv


19:33 – Japonia: Personat e agresionit në Banjskë të dalin para drejtësisë

Shino Mitsuko, përfaqësuesja e Japonisë, ka bërë thirrje që të dalin para drejtësisë personat që kanë kryer agresionin në Banjskë.

“Ne pranojmë zhvillimet pozitive në Kosovë bazuar në zbatimin e ligjit, dhe stabilitetit relativ në mbarë regjionin. Ato çka ndodhën në tërësi dhe palët që i kanë kryer duhet të hetohen. Gjithashtu vëmë në pah rëndësinë e vazhdimit të palëve në dialog”.

“Japonia kërkon nga të dyja palët të përfshihen edhe më tej në dialogun e mbështetur nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Mitsuko në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.


19:30 – ShBA-ja, Rusisë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s më 1999

Përfaqësuesi i ShBA-së në KS të OKB-së, Robert Wood, i kërkoi kolegut të tij rus, Vitaly Nebenzia, që të mos tentojë të ndryshojë historinë.

Këtë ai e ndërlidhi me kërkesën që Rusia e kishte bërë për një seancë në lidhje me sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, kërkesë e cila ishte refuzuar dy herë.

Edhe në seancën e sotme ku po diskutohet raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Nebenzia hodhi akuza ndaj NATO-s.

“Operacioni ‘Alied Forces’ i 1999 ka qenë i domosdoshëm dhe legjitim për tërheqjen e forcave serbe të Millosheviqit nga Kosova dhe për të parandaluar spastrimin etnik në Kosovë. Operacioni ‘Allied Forces’ ishte mundësia e fundit për të parandaluar spastrimin etnik, për t’ju përgjigjur komenteve nga përfaqësuesi i Federatës Ruse sa i përket takimit të propozuar për operacionet e NATO-s para 25 vitesh. Federata Ruse është thjeshtë e hidhëruar meqë Këshilli e pa se po mundoheni ta kidnaponi këtë organ, të propagoni një version të ndryshuar të historisë. E këshilloj kolegun tim rus: duhesh t’i tejkalosh këto gjëra”, deklaroi zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në OKB Robert Wood. /Klankosova.tv


19:29 – Britania është mbështetës afatgjatë i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës

Në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u diskutua për situatën e sigurisë.

Në fjalimin e përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, u tha se ky vend është mbështetës afatgjatë i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

“Ne jemi me përpjekjet e qeverisë për të përforcuar zbatimin e ligjit, për pronat nga viti 2016 në Deçan. Po ashtu jemi mbështetës të aspiratave edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ai.

Ai theksoi se dyja vendet duhet të jenë të angazhuar edhe për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Britaniku shtoi se “mungesa e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, ka implikime negative për rajonin”.

Diplomati tha se edhe Kosova edhe Serbia duhet të jenë të përfshirë në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në OKB përmendi edhe çështjen e dinarit, e për të cilin tha se kjo duhet të marrë zgjidhje.


19:01 – Rusia i fryn zjarrit: Situata në Kosovë, shumë shqetësuese për neve

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, tha se situata në Kosovë dhe rajon është “shumë shqetësuese për neve”.

“Situata vazhdon të përkeqësohet”, ka thënë ai, teksa ka vazhduar me ofendime ndaj shtetësisë së Kosovës, duke e quajtur kryeministrin Albin Kurti si “të ashtuquajtur”.

Kjo politikë e fryrjes së zjarrit për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në Kosovë, po vazhdon që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

Më tej, ai ka bërë pretendime se situata për serbët në Kosovë “është e pasigurt”.

Nebenzia tha se Kosova po e pengon dialogun me Serbinë, “derisa Serbia të njohë kuazi-shtetësinë e Kosovës”.

Kjo politikë, tha ai, po mbështetet nga ShBA-ja.

Këto komente, përfaqësuesi i Rusisë i bëri në seancën e rregullt për situatën e sigurisë në Kosovë  në KS të OKB-së. /Klankosova.tv


18:57 – Sllovenia: E mbështesim procesin e dialogut, Serbia mos të lobojë kundër Kosovës

Samuel Zhbogar, ambasadori i Sllovenisë në KS të OKB-së, ka thënë se e mbështesin procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar Kosovës theksoi se pa dialog nuk asnjë alternativë tjetër për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Prishtina dhe Beogradi duhet të implementojnë me prioritete të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë shkon me ofrimin e një mjedisi të sigurt e përparimtar për serbët në Kosovë”, ka thënë Zhbogar.

Tutje Zhbogar ka theksuar: “Serbia dhe Kosova nuk dihet të ndalojnë njëra-tjetrin në përfaqësimin ndërkombëtar, Serbia nuk duhet të ndalojë këtë”. /Klankosova.tv


18:44  – Zvicra i kërkon Serbisë të mos e bllokojë Kosovën, e Kosovës të themelojë Asociacionin

Përfaqësuesja e Zvicrës në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar nga të dy palët t’i realizojnë premtimet e tyre.

Në fjalën e saj, ajo i bëri thirrje Serbisë të mos e pengojë Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“I bëjmë thirrje Serbisë që të heq çdo paqartësi në lidhje me përkushtimin e saj ndaj marrëveshjeve dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha përfaqësuesja e Zvicrës.

Po ashtu, ajo i kërko Kosovës “themelimin e Asociacionit pa vonesa”.

Zvicra kërkoi ndërtim të marrëdhënieve konstruktive mes dy vendeve.

“Të dy palët ndajnë përgjegjësi për uljen e tensioneve. Eskalimet si ajo e Banjskës duhet të shmangen me çdo kusht dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë”, deklaroi ajo.

Për votimin e djeshëm, përfaqësuesja e Zvicrës tha: “Zvicra ndjen keqardhje që komuniteti serb nuk mori pjesë. Inkurajojmë qeverinë e Kosovës të shtojë përpjekjet për integrimin e pakicës serbe në shoqëri”. /Klankosova.tv


18:44 – Franca: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi është urgjente

Temë e kësaj seance të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ishte situata në Kosovë.

Ambasadori i Francës në OKB Nicolas de Rivière, tha se duhet urgjentisht që të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo do të sigurojë stabilitet në rajon dhe është një kusht i pashmangshëm për bashkangjitjen në Evropë që e kanë zgjedhur të dyja vendet”, tha ai.

Ai tha se marrëveshja e arritur mes dyja vendeve para një viti është më ambiciozja dhe duhet të sigurohet zbatimi i saj.

“Franca mirëpret veprimet që janë marrë nga dyja palët, përkushtimin nga ana e Serbisë për njohjen e targave në fundin e vitit të kaluar, por edhe zbatimin e vendimin për Manastirin e Deçanit nga ana e Kosovës. Këto janë lëvizje inkurajuese”, tha diplomati francez.

Ambasadori francez në OKB tha se duhet të lëvizet drejt formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që sipas tij po zgjatë shumë.

______________________________________________________________________________________________________

 18:28 – Osmani akuzon Vuçiqin për hipokrizi: Emri i dytë i Serbisë është “moszbatimi i marrëveshjeve”

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se shteti i Serbisë nuk është duke zbatuar marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të procesit të dialogut me Kosovën.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ajo ka theksuar se Serbia vazhdon me thirrjet e saja për formim të Asociacionit, por vet nuk i zbaton marrëveshjet e arritura.

“Një narrativë e përsëritur e propaganduar nga Serbia është diskutimi rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Asociacioni fillimisht u nënshkrua si pjesë e Marrëveshjes së vitit 2013, por ajo kurrë nuk ishte menduar të bëhej një çështje e izoluar. Serbia duhej të plotësonte disa kushte përpara se Asociacioni të vinte në jetë – veçanërisht detyrimi për të shpërbërë strukturat ilegale, por deri më tani Serbia nuk ka përmbushur asnjërën prej tyre”.

” Përderisa ne e dimë mirë se moszbatimi i marrëveshjeve është emri i dytë i Serbisë, është hipokrizi për Serbinë të predikojë domosdoshmërinë që pala jonë të përmbushë ndërkohë që ata vazhdimisht shkelin anën e tyre të marrëveshjes. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2023 ka 11 nene, jo vetëm një. Por Vuçiqi fillimisht duhet të përgjigjet nëse e pranon marrëveshjen e vitit 2023, sepse në një letër që qeveria e tij i ka dërguar BE-së ata deklarojnë se nuk e pranojnë”, ka pohuar ajo.

Ndër tjera, Osmani përmendi edhe presionin e Serbisë ndaj serbëve të Kosovës që të mos  dalin për të votuar në votimet e djeshme që ishin për largimin e kryetarëv në veri të vendit, si dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar në këto komuna.

“Dhe, pasi serbët e Kosovës u detyruan nga Serbia të bojkotojnë zgjedhjet lokale vitin e kaluar, ne u kemi ofruar qytetarëve në komunat tona veriore mundësinë për të tërhequr kryetarët e tyre aktualë dhe për të zgjedhur të rinj. Fatkeqësisht, kjo mundësi nuk u shfrytëzua, kryesisht për shkak të presioneve shtrënguese nga Beogradi, të orkestruara nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Pavarësisht këtyre sfidave, Kosova i ruajti vlerat e saj demokratike, duke demonstruar pjekuri politike dhe respektim të rreptë ndaj standardeve më të larta ndërkombëtare”, ka thënë Osmani. /Klankosova.tv


18:13 – Vuçiq acarohet me pjesëmarrjen e katër heroinave në mbledhjen e KS të OKB-së, Osmani: Ai po propagandon

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është acaruar me vendimin e presidentes Vjosa Osmani për t’i marrë pjesë të delegacionit të Kosovës në seancën e KS të OKB-së katër heroinat e vendit, Elhame Muqollin, Vasfije Krasniqi-Goodmanin, Shyhrete Tahiri-Sylejmanin dhe Fahrije Hotin.

Vuçiq tha se ato nuk e kanë vendin në korin diplomatik apo në ekipin këshidhënës të Osmanit.

“Kjo është një farë teatri politik dhe kurth për delegacionin serb. Ajo që e dëgjuam deri tani ishte sikur një proces i krimeve të luftës kundrejt servbëve për diçka që ka ndodhur  25-vjet më parë. Nuk u tha asnjë fjalë e vetme për raportin, asnjë fjalë për gjashtë muajt e fundit. Pse nuk na keni informuar se kush do të ishte pjesë e secilit prej delegacioneve?”, ka thënë Vuçiq.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani i reagoi atij pas kësaj deklarate duke i thënë.

“Natyrisht se përdori të drejtën për t’iu përgjigj kësaj propagande që e dëgjuam nga Vuçiqi më herët. Sa i përket çështjes procedurale që u ngrit dëshiroj t’iu informoj se këto gra përveç që janë avokuese të shkathëta për drejtësinë, po ashtu janë pjesëtare të kabinetit tim, janë kapacitet këshillues”, ka thënë Osmani. /Klankosova.tv


18:12 – ShBA: Serbia nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i gjetur sulmuesit e Banjskës

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është diskutuar situata në Kosovë.

Aty foli edhe zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në OKB Robert Wood.

Wood tha se Serbia nuk e ka ndërmarrë asnjë përpjekje për t’i gjetur përgjegjësit e sulmit të Banjskës më 24 shtator.

“Liderin e proklamuar të serbëve Milan Radoiçiq. Është kritike që Serbia të punojë me KFOR-in për ta parandaluar edhe një sulm tjetër sikur ai i shtatorit të vitit 2023”, tha ai në fjalimin e tij.

Wood foli edhe rreth ndalimit të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kufirin me Kroacinë javën e kaluar, duke shprehur shqetësimin e madh.

“Jemi të shqetësuar me mungesën e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës që po hynin në Serbi, përfshirë edhe serbët që shërbejnë në Policinë e Kosovës”, tha Wood.

Përfaqësuesi i ShBA-së tha se e sheh këtë si kërcënim për serbët që duan të integrohen në jetën publike në Kosovë.


18:05 – Vuçiqi në siklet nga fjalimi i Osmanit në KS të OKB-së (VIDEO)

Në seancën e KS të OKB-së, ku po raportohet mbi situatën e sigurisë në Kosovë në gjashtëmujorin e fundit, fjalë rasti mbajtën dy presidentët, Vjosa Osmani dhe ai i Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

Ndërkaq, në një fotografi që ka siguruar Klankosova.tv nga kjo seancë, në kohën kur Osmani po mbante fjalimin e saj, ku rrëfente mbi krimet seksuale dhe krime tjera të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, Vuçiqi ishte vënë në siklet.

Osmani me vete kishte marrë katër heroina të Kosovës, Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin e Shyhrete Tahirin.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-