Presidentja Vjosa Osmani sot gjatë një takimi me ambasadorin e Zvicrës në Prishtinë Thomas Kolly, ka kërkuar serish mbështetjen zvicerane në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ajo ka thënë se anëtarësimi në këtë organizatë është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mundësi e madhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Përkrahja e fuqishme e Zvicrës në këtë proces është e domosdoshme dhe kontribuuese për avancimin e të drejtave të njeriut”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani ka theksuar se Zvicra është një parter strategjik i Kosovës dhe se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë edhe më miqësore, shkaku i prezencës së madhe të mërgatës shqiptare atje.
Në këtë kontekst, Osmani ka falënderuar shtetin zviceran, i cili ka mbështetur Kosovën përgjatë gjithë procesit të përpjekjeve për pavarësinë dhe shtet-ndërtimin.
Në takim u konfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.