Vjosa Osmani mund ta përdorë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme për ta shkarkuar kryesuesen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, në një adresim virtual, të shtunën e quajti të paprecedentë dhe të papranueshëm moscertifkimin e disa prej listave zgjedhore të subjekteve politike.
Në mbledhjen e KQZ-së nuk u certifikuan listat e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, përkundër se një gjë të tillë e rekomandoi Zyra për Certifikim.
Këto nuk morën votat e nevojshme të anëtarëve nën arsyetimin se përmbajnë emra të kandidatëve që kanë dënim të shqiptuar në tri vjetët e fundit, njofton Klan Kosova.
Valdete Daka qëndroi në të njëjtën anë me anëtarët e KQZ-së nga PDK-ja dhe LDK-ja që votuan kundër certifikimit të të gjithë kandidatëve garues në zgjedhjet e 14 shkurtit që kanë aktgjykime fuqiplotë në tri vjetët e fundit, duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Neni 61 i Ligjit për Zgjedhjet Parlamentare i jep të drejtë presidentit ta lirojë nga detyra kryesuesin apo cilindo anëtar të KQZ-së në pesë raste të ndryshme.
“Anëtari sillet ose vepron në atë mënyrë që e dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së”, thuhet në njërën nga pesë pikat e nenit 61.5.
Ndërsa Kushtetuta e Kosovës, neni 139, tregon se kryesuesi i KQZ-së emërohet vetëm nga presidenti, nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatave me juridiksion apeli.
Presidentja në detyrë në paraqitjen e saj e përmendi disa herë dëmtimin e integritetit të KQZ-së për shkak të situatës së krijuar nga mbledhja e së premtes.
Madje, paralajmëroi edhe masa.
“Në rast se ballafaqohemi sërish me situata të tilla sikur ajo e djeshmja, ku abuzohet me KQZ-në si institucion i pavarur për të shtyrë përpara agjenda partiake dhe bëhet forum ku ushtrohet presion mbi shërbyesit civilë, do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe këtij procesi zgjedhor, ashtu siç e parasheh Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ashtu siç më detyron Kushtetuta e vendit”, deklaroi ajo.
Vjosa Osmani është numri dy i listës së Lëvizjes Vetëvendosje e cila nuk kaloi në KQZ.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.