Osmani: Njohja e pavarësisë, epilogu i vetëm i pranueshëm në procesin e dialogut

Opoja.net Opoja.net Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ku diskutuan për zhvillimet në rajon në lidhje me të drejtat e njeriut, qeverisjes demokratike, si dhe ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore, shkruan Gazeta Sinjali.

Presidentja Osmani theksoi se njohja e pavarësisë se Kosovës nga Serbia është epilogu i vetëm i pranueshëm në procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Ajo po ashtu shprehu bindjen se shtetet e rajonit duhet të veprojnë bashkërisht për të parandaluar ndikimin e aktorëve malinj që synojnë minimin e të arriturave drejt integrimit në BE dhe NATO”, thuhet në komunikatën nga Zyra e Presidencës.

Osmani gjithashtu theksoi se tendenca e regjimit të Beogradit për të rishkruar historinë dëmton përpjekjet për hapjen e kapitullit të ri në raportet ndërshtetërore.

Sipas saj, ballafaqimi me të kaluarën, drejtësia për viktimat e luftës dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë janë parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon.

Palët u pajtuan se shkëmbimet ndërmjet grupeve shoqërore mund të kontribuojnë në luftimin e paragjykimeve dhe fuqizimin e vlerave të demokracisë dhe mirëbesimit.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-