Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka pranuar “Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën” nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Siç bëhet e ditur në një kumtesë, Osmani ka nënvizuar se Republika e Kosovës e ka prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, ajo ka theksuar se asgjë dhe askush nuk do të mund të ndalë vendosmërinë e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës për sundim të ligjit dhe për të mbrojtur integritetin e institucioneve.
“Gjatë takimit, Presidentja kërkoi sqarime për moskonsultimin e institucionit të Presidencës në fazën përpara para hartimit të raportit, siç janë konsultuar të gjitha institucionet e tjera dhe shoqëria civile. Ajo potencoi rëndësinë që raporti i ardhshëm të jetë gjithëpërfshirës dhe të reflektoj kontributin e Presidencës për arritjet gjatë periudhës raportuese”, thuhet në kumtesën e Zyrës së Presidentës.
Tutje Osmani ka vlerësuar se angazhimi në rritje i institucioneve të Kosovës për zbatimin e reformave evropiane duhet të përcillet me diskutime me institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së për fillimin e procesit të negociatave për anëtarësim në BE.
Ajo potencoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, është veprim jo vetëm i drejtë, por do të shërbejë si shtysë për realizimin e reformave të brendshme dhe do t’i kontribuoj paqes dhe stabilitetit në rajon.
Presidentja Osmani ka mirëpritur rikonfirmimin e mbështetjes së Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si reflektim i përmbushjes së të gjitha kërkesave që burojnë nga procesi formal i vlerësimit të veprimeve të institucioneve te Kosovës teksa ka thënë se liberalizimi i vizave është qenësor për ruajtjen e kredibilitetit të BE-së në raport me zbatimin efektiv të politikës së zgjerimit të bazuar në meritat dhe rezultatet e angazhimeve të shteteve kandidate.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.