Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar nënshkrimin e Planit të Paqes për Gazën duke vlerësuar presidentin amerikan Donald Trump dhe të gjithë liderët pjesëmarrës që mbështetën këtë marrëveshje.
“Sot shënohet fillimi i një agimi të ri dhe një kapitulli të rëndësishëm për paqen në Lindjen e Mesme me nënshkrimin e Planit të Paqes për Gazën. Përmes lidershipit vendimtar dhe të guximshëm të presidentit Donald Trump dhe angazhimit të të gjithë udhëheqësve që punuan pa u lodhur drejt këtij qëllimi, ky moment shprese i shumëpritur është bërë realitet. Kjo marrëveshje ofron një rrugë për t’i dhënë fund viteve të vuajtjeve dhe pasigurisë, duke u dhënë familjeve të panumërta mundësinë për të jetuar në siguri, dinjitet dhe liri”, shkroi presidentja Osmani në platformën “X”.
Pas përfundimit të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Trumpi u nis nga Egjipti drejt Washingtonit. Paraprakisht ai u nderua me “Urdhërin e Nilit” nga presidenti i Egjiptit. Kjo iu jepet zakonisht individëve për kontribute të jashtëzakonshme në shërbim të Egjiptit apo të njerëzimit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

