Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar në Tiranë ku do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Siç ka njoftuar Presidenca, Osmani do të jetë në Tiranë me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Nga Presidenca është thënë se Osmani ndër të tjera do të kërkojë edhe mbështetje për statusin e vendit kandidat për Kosovën.
“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit. Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë ndër të tjera do të diskutojnë për sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, intensifikimin e angazhimit politik, për përforcimin e sigurisë dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja, sfidat e paraqitura nga migrimi si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet nga Presidenca.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.