Që nga përfundimi i luftës në Kosovë shumë pushtetarë premtuan se do ta padisin Serbinë për gjenocidin e kryer. Mirëpo përkundër premtimeve të shumta ende nuk është marrë ndonjë hap konkret për këtë çështje.
Drejtori i Institutit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, tha për Ekonominë Online se çështja e padisë për gjenocid ndaj Serbisë është përmendur për më shumë se 10 vjet nga përfaqësuesit institucionalë dhe se ende nuk ka pasur ndonjë lëvizje konkrete për këtë çështje.
Sipas tij, padia për gjenocid ndaj Serbisë nuk dihet a mund të bëhet, marrë parasysh që Kosova nuk është e anëtarësuar në OKB.
“Çështja e padisë për gjenocid është përmendur për më shumë se 10 vjet nga përfaqësuesit institucionalë, mirëpo ne nuk kemi parë deri më tani veprime që na bëjnë të besojmë se është duke u përgatitur një padi e tillë. Unë mendoj që nuk kemi ekspertë vendor të cilët do të mundnin ta hartojnë një padi për gjenocid. Po ashtu nuk e di a ka baza ligjore dhe a mundet Kosova në këtë moment, meqenëse nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ta bëjë padinë”.
“Autoritetet kanë pasur çështje të tjera më me prioritet dhe pse kjo do të duhej të ishte me më prioritet. Nuk kemi vërejtur vullnet të mjaftueshëm politik që të bëhet dokumentimi i krimeve në të kaluarën, nuk e di se ku qëndron faji, po është e qartë se gati një çerekshekulli nuk është bërë mjaftueshëm për dokumentimin e krimeve”, tha ai.
E profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, tha se Kosova mund ta padisë shtetin serbë për gjenocid vetëm pasi të mbledh dhe të dokumentoj krimet e kryera.
“Shtetin serb mund ta padisim pasi të mbledhim e dokumentojmë krimet e kryera, në bazë të asaj të ngritet edhe akuza për krime të luftës dhe për krimin e gjenocidit”.
“Kjo është një mosgatishmëri dhe një dobësi e mungesë e largpamësisë e njerëzve tonë për këto krime. Për ne është e pakuptueshme që nuk është bërë ky hulumtim më herët”, tha ai.
Edhe kryeministri Kurti në vitin 2021 kishte bërë një premtim të tillë, raporton EO-ja.
Në lidhje më këtë Ekonomia Online ka provuar që të marr edhe një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë, se a janë duke përgatitur këtë padi, mirëpo të njëjtit përmes një përgjigje kanë thënë që në lidhje më këtë t’i drejtohemi Zyrës së kryeministrit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.