Paga në sektorin privat, më e ulët se ajo minimale

Opoja.net Opoja.net Kosova

Paga minimale në vendin tonë nuk ka shënuar rritje që nga viti 2011, ajo vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. Por, në tregun e Kosovës ka punëtorë që paguhen vetëm 100 euro.

Vetëm 100 euro në muaj i merr D.A, e cila punon me tekstil. Ajo thotë se kjo pagë nuk i mjafton as për gjera ushqimore.

“Unë marr vetëm 100 euro pagë. Beso që këto s’më dalin as me ble gjera ushqimore, e le ma që duhet me i pagu edhe faturat. Nuk jam anku sepse tani s’po kam se ku me punu. Para kësaj punë jam kanë diku tjetër dhe jam ankuar për pagën e vogël e kam mbet krejt pa punë. Tash s’po kam qa më ba ma mirë se mos me punu hiq”, ka thënë ajo.

Edhe  B.M, rojtarë në objektin e një kompanie thotë se merr vetëm 120 euro në muaj. Ai thotë se më ketë pagë duhet t’i mbulojë shpenzimet e tre fëmijëve, e që nuk i dalin as për gjera elementare.

“Që 1 vit punoj këtu, edhe me kanë premtu që kanë më ma rritë rrogën, por tash po thonë që jo virusi nuk kena pare. Unë nuk po muj me lanë punën, se kush mu kujdes për fëmijët e mi, as gruja nuk punon se nuk ka gjet punë kërkun, s’di qa me ba”, ka thënë ai.

Ndërsa Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, thotë për lajmi.net se ka shumë punëtor në Kosovës që paguhen me pagë prej 100 euro, pra më pakë se minimalja.

Ndërsa 60 mijë punëtor të sektorit privat marrin pagë minimale të deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës.

“Në fakt, ne kemi shumë punëtor që paguhen me pagë 100 euro, pra kemi punëtorë që tërë muajin e kryejnë me 100 euro. Pronarët e bizneseve i gënjejnë punëtorët që pas një kohe shumë të shkurtër do të futen në sistem, prandaj ndodh kështu. Megjithatë, sa i parkete pagës minimale, rreth 60 mijë punëtor në sektorin privat marrin pagë minimale të deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës”, ka thënë Azemi.

Ai thotë se Sindikata i ka adresuar këto çështje në institucionet përkatëse, por deri tani asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.

“Ne si Sindikatë i kemi adresuar të gjitha këto çështje, por është e kotë,  nuk mundemi vetëm ne ta zgjedhim këtë problem, sepse kjo është çështje e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punës dhe Inspektoratit dhe tek ta nuk ka as ndihmesa më e vogël, përkundrazi, jo që nuk ka ndihmesë por ka edhe kundërshtime dhe po kanë një farë forme sukses në këtë rast, sepse edhe vetë ata që punojnë në këto kushte nuk deklarohen. Por ne këto i arrijmë përmes shumë informacioneve që i marrim përmes individëve të ndryshëm, duke treguar raste konkrete, por edhe të kolegeve që punojnë më ato kushte. Sidomos gjatë viti 2020 ku e shfrytëzuan edhe situatën me Covid-19, gjoja se po punojnë më humbje dhe si dukuri është shumë e shprehur tani”, ka thënë Azemi.

Ndryshe, Kosova është vendimi më pagën më të vogël minimale në rajon, përkundër premtimeve të shumta, ajo nuk u rrit më asnjëherë që nga viti 2011.

Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. /Lajmi.net/ 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-