Paratë nga diaspora mbajnë “gjallë” ekonominë e Kosovës

Opoja.net Opoja.net Kosova

Pandemia COVID-19 e “bllokoi” të gjithë botën, kështu duke rritur numrin e papunësisë, por pavarësisht kësaj diaspora e Kosovës ka vazhduar të dërgoj para në vendlindje.

Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në organizatën “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se remitencat përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

“Këto mjete luajnë një element të rëndësishëm të mirëmbajtjes së ekonomisë së Kosovës, por edhe ruajtjes së paqes sociale, pasi remitencat përbëjnë 15 për qind të Bruto Produktit Vendor. Përveç remitencave, diaspora dërgon para edhe përmes kanaleve tjera joformale”, thekson Krasniqi.

Krasniqi thotë se shumica e mjeteve financiare të dërguara nga qytetarët e Kosovës, që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shpenzohen për konsum.

“Dhe fatkeqësia e kësaj është se këto mjete, prapë dalin jashtë Kosovës, pasi shumica e produkteve të konsumit ditor importohen në Kosovë nga shtete të ndryshme”, shton ai.

Përveç remitencave, qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës, kanë dërguar mjete edhe në buxhetin e Kosovës në mënyrë që të ndihmojë Qeverinë e Kosovës për ta luftuar pandeminë COVID- 19.

Mbi 717 mijë euro ndihmë nga diaspora për menaxhimin e COVID-19

Mbi 717 mijë euro janë grumbulluar nga ndihmat e ardhura nga diaspora, tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili.

“Nga këto mjete, 667 mijë euro janë pranime nga qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës, kurse mbi 50 mijë euro janë pranime nga qytetarë brenda vendit”, tha ai.

Deri më tani, 511 mijë euro janë alokuar në Fondin për Menaxhimin e COVID-19, të Ministrisë së Shëndetësisë, në kategorinë e shpenzimeve kapitale. Kurse, 206 mijë euro të tjera janë bartur në buxhetin për vitin 2021, të cilat, thotë Ismaili, do shpenzohen vetëm për menaxhimin e pandemisë.

Ndihma nga diaspora ka ardhur pas thirrjes që u ka bërë qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 prill të vitit të kaluar, vetëm një muaj pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus.

Po gjatë vitit të kaluar, kur në Kosovë ishin në fuqi masat kufizuese të lëvizjes, qytetarë nga diaspora përmes aksione të ndryshme, kanë ndihmuar me pako ushqimore familje me kushte të rënda ekonomike, thonë nga organizata “Germin”.

Kurse në institucionet shëndetësore të Kosovës kanë sjellë 15 mijë teste dhe gjysmë milioni maska për qytetarët, si dhe veshje mbrojtëse kundër COVID-19.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-