PDK Dragash reagon ndaj qëndrimit të Kryetarit për Radio “Sharrin”

Senat Trupaj Senat Trupaj Opoja

­PDK – Dega Dragash reagon për situatën me Radio “Sharri”

Më poshtë e keni reagimin e plotë të Degës së PDK-së në Dragash lidhur me zhvillimet e fundit:

REAGIM

Lidhur me sulmet publike të Kryetarit të Komunës ndaj Radio “Sharrit”

Të nderuar qytetarë,

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Dragash, që në fillim, nuk ka pasur dëshirë të përfshihet në këtë çështje, duke besuar se mosmarrëveshja do të zgjidhej në mënyrë institucionale, mes Radio “Sharrit” dhe autoriteteve komunale. Fatkeqësisht, kryeneçësia dhe vazhdimi i bojkoteve e shantazheve nga ana e Kryetarit të Komunës na detyrojnë të ndërhyjmë publikisht për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe të drejtën e informimit.

Prej më shumë se 26 vitesh, që nga paslufta, Radio “Sharri” ka qenë dritarja kryesore e informacionit për qytetarët e Dragashit, duke raportuar pa ndërprerje për çdo zhvillim lokal, edhe në kushte të vështira financiare e pa mbështetje institucionale. Ky medium nuk është vetëm zë informues, por arkivë e gjallë e historisë së komunës sonë.

Radio “Sharri” nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pronë e asnjë partie politike. Ajo u përket qytetarëve – të gjithëve, pa dallim bindjeje apo përkatësie. Kërcënimi dhe presioni i Kryetarit të Komunës, nën arsyetimin banal të mostransmetimit të një seance, është një tentativë e rrezikshme për të heshtur një zë të pavarur dhe një precedent shqetësues. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë nga asnjë Kryetar i Komunës, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Ky sulm nuk është vetëm ndaj Radio “Sharrit”; ai është paralajmërim për të gjitha mediat dhe portalet lokale, një përpjekje për kontroll politik që cenon rëndë demokracinë lokale.

Prandaj:

  1. I bëjmë thirrje Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe organizatave për mbrojtjen e lirisë së medias të reagojnë menjëherë ndaj kësaj shkeljeje dhe të ofrojnë mbështetje për gazetarët në Dragash.
  2. Kërkojmë nga Kryetari i Komunës të tërheqë menjëherë bojkotin dhe të ndërpresë çdo formë presioni ndaj Radio “Sharrit”.
  3. Ftojmë qytetarët dhe shoqërinë civile të solidarizohen me çdo medium lokal që punon me ndershmëri dhe paanshmëri.

PDK Dragash qëndron fuqishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe nuk do të qëndrojë indiferente ndaj përpjekjeve për ta heshtur fjalën e lirë. Pa media të pavarura nuk ka demokraci.

Me respekt,

Dega e PDK-së në Dragash

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-