Sipas njoftimit nga kryeministria, vlera e përgjithshme e investimit arrin në 142 mijë euro. Nga kjo shumë, 16% është përdorur për furnizimin me shtretër dhe inventar të ri, ndërsa pjesa tjetër ka mbuluar aspektin infrastrukturor të repartit.
Kryeministri Kurti theksoi se ky repart tashmë do të ofrojë kushte dhe pajisje moderne si për trajtimin e pacientëve, ashtu edhe për performancën e personelit shëndetësor. “Ky repart tashmë do të ofrojë kushte dhe pajisje moderne si për trajtimin e pacientëve, ashtu edhe për performancën e mirë të personelit shëndetësor, duke siguruar komoditet për pacientët, nisur prej pastërtisë, rregullsisë, ndriçimit, ajrit të klimatizuar e kështu me radhë, e deri tek puna e palodhshme që e bën stafi mjekësor,” raportoi Telegrafi.
Reparti i Pulmologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit konsiderohet një qendër e rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve respiratore dhe mbrojtjen nga tuberkulozi. Ky repart, i cili vitin e ardhshëm shënon 80-vjetorin e funksionimit, ofron shërbime mjekësore në baza ditore jo vetëm për pacientët nga Prizreni, por edhe për ata nga Suhareka, Rahoveci, Dragashi, Sharri, Malisheva, Mamusha e madje edhe Kukësi i Shqipërisë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.