Policia paralajmëron shoferët: Mjegull e dendur në rajonin e Ferizajt, rrezik për qarkullimin rrugor

Opoja.net Opoja.net Kosova

Policia e Kosovës ka njoftuar për prezencën e mjegullës në rajonin e Ferizajt, e cila po paraqet rrezik për sigurinë në komunikacion, si pasojë e kushteve aktuale atmosferike.

Sipas Policisë, mjegulla është vërejtur në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, veçanërisht në zonat me pozitë më të ulët gjeografike dhe në afërsi të lumenjve, duke ndikuar në uljen e dukshmërisë në rrugë.

Me këtë rast, Policia u bën apel të gjithë shoferëve që të respektojnë masat e sigurisë në trafik, duke përfshirë ndezjen e dritave të shkurtra dhe atyre të mjegullës, shmangien e përdorimit të dritave me rreze të gjata, uljen e shpejtësisë dhe mbajtjen e saj nën kontroll, si dhe qëndrimin në krahun e djathtë të rrugës.

Po ashtu, Policia këshillon rritjen e vëmendjes ndaj ndryshimeve të papritura të dukshmërisë, duke theksuar se mjegulla mund të krijojë iluzione optike dhe të ndikojë në perceptimin e shpejtësisë së lëvizjes.

“Siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e Policisë.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-