Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për një vizitë zyrtare në Austri, ku sot ka pranuar “Çmimin e Evropës” nga Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi, shkruan Gazeta Sinjali.
Ceremonia e ndarjes së këtij çmimi prestigjioz u mbajt në Vjenë, ku u theksua se Osmani u vlerësua për përkushtimin e saj të palëkundur ndaj raporteve me partnerët euroatlantikë, orientimin pro-evropian, forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
“Ky është një nderim për Repubikën e Kosovës dhe një dëshmi se rruga jonë evropiane, e ndërtuar mbi vizionin e Presidentit Rugova për paqe, demokraci dhe partneritet transatlantik, vazhdon me vendosmëri”, ka shkruar Osmani.
Ky çmim i rëndësishëm i është akorduar më parë personaliteteve të njohura botërore si Presidenti Ronald Reagan, Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.
Presidentja Osmani u shpreh se ky vlerësim është nder jo vetëm për të, por për të gjithë qytetarët e Kosovës që besojnë në rrugën evropiane të vendit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.