Prizreni ende me vështirësi, Dragashi shumë më keq (Video)

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Lajme Opoja

Të reshurat e borës në Prizren, kanë krijuar vështirësi të mëdha nëpër rrugët e kësaj komune. Për shkak të gjendjes së krijuar, komuna ka formuar një komision për menaxhim të situatës, dhe sipas një raporti, situata paraqitet e rëndë, por ajo është nën kontroll, thuhet në një komunikatë drejtuar medieve.

Gjendja më e rëndë paraqitet në rrugën Prizren – Prevallë, dhe në disa vendbanime të zonave rurale. Kompanitë kontraktuese në Prizren, me kapacitetet që posedojnë, po mundohen që të largojnë borën nga rrugët, por problem më të madh po paraqet era e cila po fryen me një intensitet të lartë,duke e bartur borën nëpër rrugë. Gjendja më e rëndë ka qenë mbrëmë në fshatin Poslisht , ku si pasojë e borës së madhe në rrugë ishin bllokuar dhjetëra vetura. Me t’u informuar nga mediet, kompania “ Eko regjioni” ka intervenuar duke mundësuar zhbllokimin e rrugës . Po kjo kompani, gjatë natës ka qenë e angazhuar edhe në zhbllokimin e rrugës Vlashnje- Kobajë. Sipas informacioneve nga terreni, gjendje e rëndë është paraqitur edhe në disa lokalitete të zonës së Hasit të kësaj komune. Përkundër kushteve të vështira për qarkullim të automjeteve, nuk raportohet për ndonjë aksident me të lënduar, si dhe vërehet një prani më e vogël e pjesëmarrësve në komunikacion për shkak të pransië së ngricave dhe akullit në rrugë.

Ndërkaq, gjendja më e rëndë në komunat e Regjionit të Prizrenit po paraqitet në komunën e Dragashit, ku si pasojë e reshjeve të shumta të borës dhe neglizhencës së organeve kompetente, shumë rrugë të lokaliteteve të kësaj komune janë të bllokuara, ndërsa banorët me vetë iniciativë janë duke i zhbllokuar ato. Përveç kësaj, jeta në këtë komunë është vështirësuar dukshëm edhe për shkak të mungesës së furnizimit me energji elektrike, ku tashmë janë bërë 50 orë të tëra që këta banorë jetojnë në terr të plotë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-