Probleme në rrugën e jetës islame”, një libër me vlerë në duart e rinisë islame…

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Nuk ka dyshim se kushdo që e ka lexuar qoftë edhe një vepër të vetme nga Shejkh Muhammed El-Gazali, kupton se ka të bëjë me një njeri të ditur, me një dhunti të mrekullueshme në shkrimin e fjalës, thellësisht i angazhuar me problemet e Thirrjes islame dhe zhvillimin e ecurisë së individit dhe shoqërive islame kudo në botë.

Gjatë viteve të fundit të shekullit të kaluar, ai konsiderohej pa dyshim si një ndër korifejtë e Thirrjes islame në botë dhe si i tillë, ai mbeti një edukues i heshtur i rinisë islame, nëpërmjet rreshtave të pafund të librave të tij të shumtë… S’ka dyshim se me dijen, karizmën dhe veçoritë e tij të spikatura në Thirrjen islame, ai u bë frymzues për shumë dijetarë të botës islame, për studentët e teologjisë dhe intelektualët myslimanë në botë.

Librin “Probleme në rrugën e jetës islame” e kam lexuar me shumë dëshirë dhe kënaqësi. Kam ndjerë sikur Imam Gazaliu iri ishte aty pranë meje. Ai më fliste, unë e dëgjoja me vëmendje dhe herë-herë mbaja shënim fjalët e tij të urta dhe udhëzimet prej edukatori plot eksperienca jete.

Përse ky libër dhe librat e Shejkh Muhamed Gazaliut në përgjithësi janë të vlefshëm për rininë e sotme islame, sidomos në rrugën e zgjimit dhe riperceptimit të rolit që duhet të ketë secili në shoqërinë e tij? Përgjigjja është e thjeshtë. Më lejoni që atë ta jap nëpërmjet ndalimit në disa stacione të marra nga librat e tij të shumtë në krahasim me “Probleme në rrugën e jetës islame”.

 

SAKTËSIMI I MARRËDHËNIES SË DREJTË ME ZOTIN

Në tërësinë e librave dhe thirrjes së tij, Shejkh Gazali është përpjekur të edukojë individin mysliman me një akide të shëndoshë, nëpërmjet së cilës të jetë i vetëdijshëm për besimin e tij në Zot të Vetëm. Karakteristikë e shkrimeve të tij është përdorimi i shembujve logjikë dhe atyre personalë nga jeta dhe eksperienca, për të mundësuar mbërritjen e idesë tek lexuesi a bashkëbiseduesi.

Në librin e tij: “Akidetul-myslim”, shkruan se: “Allahu e ka përshkruar Veten e Tij me cilësi të shumta, të cilat është e vështirë të perceptohen në vërtetësinë e tyre sipas mënyrës si ne perceptojmë çështjet tona të zakonshme… Milingona nuk arrin ta kuptojë vërtetësinë e njeriut, pasi kufijtë e botës në të cilën jeton e pengojnë ta arrijë”.[1] Ndërkohë, në librin “Probleme në rrugën e jetës islame”, autori tërheq vëmendjen e lexuesit se: “Mbajtja e fesë së Zotit do të thotë, para së gjithash, themelimi i lidhjeve të pastra mes robit dhe Zotit të tij, larg nga kërkimi i kësaj bote, nga ngopja me dëfrimet dhe nga mbizotërimi i dëshirave të saj”.[2]Pra, fillimisht ai kërkon nga myslimani të njihet Zoti me gjithë cilësitë e Tij, pastaj të gjendet një rrugë legjitime dhe e shëndoshë për krijimin e një marrëdhënieje solide me Zotin e gjithësisë. Saktësia e kësaj marrëdhënieje është ajo që shenjon më pas edhe saktësinë e udhëzimit të njeriut në rrugën e fesë së tij dhe besimit që ka në zemër.

Në librin e njohur: “Kejfe nefhemul-Islam”, ai kërkon nga myslimanët që: “të zgjohen për të shpëtuar origjinën e besimit dhe gjallërimin e zemrave të vdekura me akiden e saktë, siç ka ardhur në Kuran dhe në Traditë profetike”[3]

 

ADHURIM DHE DIJE

Në librin e tij: “Hadha dinuna”, Shejkh Muhammed El-Gazali shkruan për një titull shumë intrigues dhe me rëndësi për jetën e të riut mysliman: “Liria e mendjes, jo liria e epshit”. Aty, ai argumenton domosdoshmërinë e angazhimit të individit mysliman për mirëpërdorimin e mendjes dhe shfrytëzimin e kohës për të arritur suksese në jetë, secili në fushën a specializimin e tij. Shkruan: “Allahu i ka urdhëruar krijesat e Tij të meditojnë në krijimet e Tij dhe ta lëshojnë fijen e mendimit aty e këtu për të medituar rreth argumenteve në univers, si dhe për t’u thelluar në mes të urtësisë së lartë në rreshtat e ajeteve si: “Le të vëzhgojë njeriu se nga është krijuar” – Tarik, 5, ose: “Thuaj: Vëzhgoni se çfarë ka në qiej e në tokë”- Junus, 100…”.[4]

Ndërkohë, në lidhje me këtë temë shumë të rëndësishme, në librin “Probleme në rrugën e jetës islame”, autori shkruan: “Është e pamundur ngritja e një shoqërie, në qoftë se pjesëtarët e saj janë injorantë ndaj kësaj bote, të pafuqishëm në jetë. Punët e mira kërkohet t’i bëjë sëpata e druvarit, gjilpëra e rrobaqepësit, lapsi i shkrimtarit, ekspertiza e doktorit, provëza e farmacistit. I bën ato polumbari në det, piloti në qiell, shkencëtari në laborator, ekonomisti në planin e tij. Duhet t’i bëjë ato çdo mysliman që është anëtar i mesazhit hyjnor, kur ai merr përsipër çdo gjë duke i përdorur sendet si mjete për të ndihmuar fenë e Zotit dhe për të mbajtur lart fjalën e Tij”.[5]

Me fjalë të tjera, ai bën thirrje që të shfrytëzohet koha, mendja dhe arsyeja e shëndoshë, për të përdorur dhuntitë e Zotit, për të ndërtuar jetën me dije, kulturë, shkencë, besim dhe përkushtim ndaj Zotit, pa prishur anët e peshores. Pra, kemi nevojë që rinia e sotme islame, të mos izolohet nëpër xhami dhe të mjaftohet me pretendimin e adhurimit dhe besimit, larg dijes, kërkimit a hulumtimit në jetë, por të marrë nga xhamia dhe feja në përgjithësi, tharmin e duhur për të jetuar si një individ ndërtues me dashurinë e Zotit dhe frikën e Tij.

 

KULTURA KOMBËTARE DHE MORALI I FESË

Në librin: “Et-Tariku min huna”, ai përshkruan ndjesinë e trishtë se: “Ky ymet e ka harruar misionin e tij, ose e ka harruar atë nga një kohë e largët. Ky është një mision i vendosur nga Zoti për ne, jo pjesë e pretendimeve tona mbi veten tonë…”.[6] Bën thirrje që myslimanët të zgjohen dhe të respektojnë besimin dhe fenë e tyre, si dhe të mbrojnë kulturën kombëtare, në thelb të së cilës qëndron vetë besimi dhe bota e tij.

Në librin “Probleme në rrugën e jetës islame” thekson:“Kultura kombëtare është pasuri me shumë vlerë përcaktuese për një popull. Nga këtu, kolonizatori u drejtua për të goditur këtë kulturë dhe, të dobësojë institutet e saj, ta zhdukte ose ta paralizonte lëvizjen e saj, duke e lënë atë shterpë…”.[7]

Sot, ne si myslimanë shqiptarë, më shumë se asnjëherë tjetër e kemi për detyrë të zgjohemi nga dekadenca e dekadave të hirta dhe të përpiqemi t’i lexojmë ndryshe ndodhitë e përditshme që bëjnë formatimin e kulturës sonë kombëtare në emër të integrimit dhe zëvendësimin e shpirtit të saj me një shpirt të kamufluar kolonizues. Kjo tendencë formatimi e heshtur nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje e vjetër për të ndryshuar të pandryshueshmen e në mos, për ta plasaritur sa më shumë atë. Në këtë kontekst, myslimanët shqiptarë duhet të vetëndërgjegjësohen për pasurinë e madhe kulturore dhe traditat e pasura me shpirt besimi që zotërojnë, të cilat nuk duhet të lejojnë të zëvendësohen a të tjetërsohen për asnjë arsye.

 

MESATARIZMI DHE LARGIMI NGA EKSTREMIZMI

Në librin “Probleme në rrugën e jetës islame”, autori porosit: “Mos i ripërtyp dhimbjet e kaluara, por puno për rindërtimin e Islamit. Të jetë kjo pjesa më e madhe e mendimit tënd, sesa hakmarrja jote… Dëgjoni me vëmendje ata që ju njohin me të vërtetat e Islamit… në vend që të mjaftoheni vetëm me një lexim të disa librave”.[8]

Është një thirrje për të respektuar dijen dhe edukatorët e saj, të cilët dinë si të krijojnë ekuilibrat e duhur për nxënësit e dijes dhe kërkuesit e saj. Në rast të largimit prej tyre, qoftë edhe me dëshirën e mirë të thellimit në dije dhe përkushtim në mënyrë individuale, mund të ketë edhe rrëshqitje që çojnë në formësimin e shfaqjeve ekstremiste dhe të paekuilibruara në jetë. Kjo ka ndodhur edhe me sahabë të Resulull-llahit (a.s.), nga dëshira e mirë e thellimit në përkushtim, sikurse transmetohet në librat e saktë të hadithit.

Islami është feja e mesatarizmit në të gjitha punët, larg ekstremizmit, aq më shumë kur ai shoqërohet me mungesën e edukatorit dhe mungesën e dijes së dobishme. Këtë, Imam Gazaliu i ri, ka ditur ta shpjegojë shumë mirë dhe t’i japë zgjidhje, edhe në këtë libër të përkthyer rishtas në gjuhën shqipe.

Përkthyesit, urime, suksese dhe mbarësi. Kjo vepër e Shejkh Muhamed El-Gazaliut u pasoftë me përkthime të reja dhe të dobishme për rininë islame dhe lexuesin në tërësi.


[1] Muhammed El-Gazali, “Akidetul-myslim”, botimi VIII, Damask, 1996, fq. 35.

[2] Muhamed El-Gazali, “Probleme në rrugën e jetës islame”, Tiranë, 2012, fq. 14.

[3]Muhammed El-Gazali, “Kejfe nefhemul-Islam”, botimi I, Damask, 2000, fq. 133-134.

[4] Muhammed El-Gazali, “Hadha dinuna”, botimi I, Damask, 1997, fq. 36.

[5] Muhamed El-Gazali, “Probleme në rrugën e jetës islame”, Tiranë, 2012, fq. 18.

[6]Muhammed El-Gazali, “Et-Tariku min huna”, botimi II, Damask, 1996, fq. 75.

[7]Muhamed El-Gazali, “Probleme në rrugën e jetës islame”, Tiranë, 2012, fq. 36.

[8]Muhamed El-Gazali, “Probleme në rrugën e jetës islame”, Tiranë, 2012, fq. 84.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-