Qeveria e Kosovës ka miratuar të hënën propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për ofrimin e Mbrojtjes së Përkohshme dhe të menjëhershme për qytetarët afganë të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të qeverisë amerikane në Afganistan si dhe për familjarët e tyre.
Lajmin e ka bërë të ditur Sveçla, i cili në një postim në Facebook ka shkruar se ky vendim është përpjekje për t’u ofruar ndihmë personave që gjenden në rrezik dhe u janë shkelur të drejtat themelore për arsye të luftës dhe konfliktit në Afganistan.
“Pamjet që po shohim sot, jo shumë kohë më parë ishin pamjet që i kemi jetuar vetë dhe mbrojtja që kemi propozuar të ofrojmë sot, është prezantuar dhe zbatuar si koncept pikërisht për ekzodin e refugjatëve kosovarë në vitet e 90’ për t’i dalë në ndihmë Kosovës, e cila sot ka vullnetin ta kthejë këtë të mire”, ka shkruar ai.
Më tej, ministri Sveçla është shprehur se ky vendim i hap rrugë kësaj kategorie për një vend ku do të qëndrojnë përkohësisht, të sigurt, të gëzojnë të gjitha të drejtat themelore sipas legjislacionit si dhe përkrahjen institucionale deri në krijimin e një zgjidhjeje afatgjate në SHBA.
“Kjo përpjekje për të shpëtuar jetë, është detyrim moral i vendit tonë, dhe parim njerëzor të cilit po i jepet karakter institucional si dhe është bashkëpunim i pandërprerë me shtetin amerikan, si aleat në këtë proces dhe në të gjitha proceset e rëndësishme të zhvilluara në Kosovë”.
Liderët kosovarë gjatë ditës së djeshme janë shprehur pro mundësisë së strehimit të refugjatëve afganë në Kosovë, kjo edhe pasi erdhi kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./OPOJAnet/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.