- Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të Kryetarit të Komunës:
REAGIM ZYRTAR
Lidhur me deklarimin e z. Beqir Beqaj – Drejtor i Radio Sharri
Në funksion të transparencës dhe respektit ndaj qytetarëve të Komunës së Dragashit, ndjejmë obligim të sqarojmë disa çështje të përmendura në reagimin e z. Beqaj:
• Për transmetimin LIVE të seancave solemne
Është fakt i njohur se problemet me transmetimin LIVE po përsëriten kryesisht në seancat solemne dhe ngjarjet e veçanta, siç është Dita e Çlirimit, të cilat zakonisht udhëhiqen nga Kryesuesja e Kuvendit, znj. Arijeta Skeraj. Këto nuk janë ngjarje të zakonshme, por janë momente dhe data shumë të rëndësishme për komunën, dhe mungesa e transmetimit të tyre në kohë reale dëmton imazhin institucional dhe informimin publik.
• Takimet me Kryesuesen e Kuvendit znj. Arijeta Skeraj dhe Drejtorin e Radio Sharri
Nuk qëndron deklarata se nuk ka pasur kontakt me Kryesuesen. Janë zhvilluar takime në zyrën time, ku drejtori i Radios ka shprehur keqardhje dhe ka premtuar që kjo nuk do të përsëritet më. Është për t’u habitur që këto premtime nuk janë mbajtur dhe lëshimet janë përsëritur shumë herë, edhe përkundër reagimit të Kryesueses.
Respektojmë të kaluarën dhe kontributin e secilit institucion mediatik në komunën tonë, por kërkojmë gjithashtu përkushtim të plotë ndaj transparencës, profesionalizmit dhe komunikimit korrekt.
Për fund, falënderoj Kryesuesen e Kuvendit dhe të gjithë asamblistët që ishin të pranishëm në sallë, të cilët me kontributin e tyre bënë të mundur miratimin e të gjitha pikave të rendit të ditës.
Me respekt,
Bexhet Xheladini
Kryetar i Komunës së Dragashit
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.