Opoja.net

Rrëfimi i deputetit të LDK’së që votoi pro Qeverisë Hoti e kundër rrëzimit të Kurtit

Deputeti i LDK’së nga Suhareka, Ardian Shala e ka votuar Qeverinë e Hotit pavarësisht se ka ngritur dorën kundër mocionit për rrëzimin e “Koalicionit të Shpresës” më 25 mars.

Shala në një bisedë për Gazetën Express ka thënë se ka votuar për Avdullah Hotin kryeministër pasi e ka parë absurde të mos e votonte një kryeministër të LDK’së.

84
Cilën kandidatë e shihni fituese në raundin e dytë të zgjedhjeve ?

Ai ka thënë po ashtu se më shumë i ka besuar qeverisë mes VV’së dhe LDK’së sesa të tanishmes ku partia e tij qeverisë me AAK’në e Nismën.

Avdullah Hoti të mërkurën u zgjodh Kryeministër i Republikës, megjithëse 61 votat e mjaftueshme në Kuvend nuk i kishte të sigurta. Katër deputetët e LDK’së që votuan kundër dhe abstenuan në mocionin e partisë së tyre për rrëzimin e qeverisë Kurti, ishin skeptik se a do ta votojnë Hotin për Shef të Qeverisë. Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli nuk ishin të pranishëm të mërkurën, Fatmir Rexhepi abstenoi. Megjithatë deputeti nga Suhareka, Ardian Shala e votoi të mandatuarin e partisë së tij për Kryeministër.

Deputeti Shala tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë dekretit të Presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit e ka parë si absurde votën e tij kundër një kryeministri të LDK’së.

“Gjykata Kushtetuese me aktgjykim ka treguar se nuk do të ketë zgjedhje, dhe për të dalur kundër një kryeministri të LDK’së më është dukur absurde. Besoj që z.Hoti do të bëjë punë të mira, unë jam deputet edhe pse është qeveria e LDK’së, do të ngris zërin për çdo gjë që që konsideroj të padrejtë”, tha Shala.

I pyetur se a është kontaktuar nga Kryetari Mustafa për ta bindur të votojë pro qeverisë Hoti, Shala ka thënë se nuk ka pasur takim me kryetarin e LDK’së por takime konsultative me udhëheqësit e partisë.

“Ne kemi pasur bisedime, sepse jemi me një parti, thjeshtë është dyshuar që unë nuk do të votoj pro, kemi pasur takim konsultativ, por jo me kryetarin e partisë. Unë jam kryetar dege i LDK’së në Suharekë, unë përfaqësoj votat e qytetarëve aty, bazën më të madhe të votave e kam aty. Është dashur me i pa edhe pozicionet e partisë që mos të kemi shpërbërje në parti, gjithçka ka qenë me pasë një kohezion”, tha Shala

Deputeti nga Suhareka u shpreh se megjithatë më shumë i ka besuar qeverisë së kaluar, kur LDK’ja ka qeverisur me Vetëvendosjen.

“Nëse më pyet a ke qenë për qeverinë e atherëshme, unë them prapë po, unë i kam besuar më shumë asaj qeverisë tjetër. Unë i kam besuar qeverisë së parë, dhe po të them drejtë sepse kemi dashur që pas 20 vitesh të ndryshojë diçka në Kosovë”, tha Shala.

Ai tutje u shpreh se faji për prishjen e koalicioni VV-LDK ka qenë i dyanshëm.

“Faji ka qenë i dyanshëm si tek VV’ja si tek LDK’ja kanë pasur gabimet e veta dhe ka ardhur deri tek mosfunksionimi i koalicionit, kam qenë kundër që të mos prishet në kohë pandemie sepse e kam parë që nuk po funksionin por për hir të kushteve të rrethanave nuk është dashur”, u shpreh ai.

Shala po ashtu deklaroi se vendimet e deputetëve të LDK’së për të mos qenë pjesë e seancës ku u votua Hoti duhet respektuar.

“Unë them që duhet të respektojmë mendimin e secilit, sepse jemi në demokraci dhe qëndrimet e gjithkujt duhet të respektohen, dhe e vlerësoj vendimin e tyre”, tha ai për Express të dielën.

Ai mohoi të ketë folur personalisht me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani lidhur me votën e tij pro qeverisë Hoti.

“Asnjëherë nuk kam pasur takim personal lidhur me votën time, përpos asaj që znj Osmani e ka bërë publike që është shprehur kundër votimit të kësaj qeverie”, ka thënë deputeti nga Suhareka.

Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net
Fokusi
Shiko
Zgjedhjet
Abonohu
Raporto