Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), të gjitha përgatitjet për procesin tashmë janë bërë, ndërsa janë angazhuar mbi 1,550 administrues në 170 qendra testimi.
Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim në MASHT, Fatmir Elezi, ka deklaruar për Radio Kosovën se testi këtë vit do të mbahet vetëm në një ditë dhe përfshin të gjitha lëndët.
“Testi i arritshmërisë është orientues, rezultatet shërbejnë për regjistrim në klasën e dhjetë dhe nuk ka prag të kalueshmërisë,” – u shpreh Elezi.
Në përpjekje për të parandaluar kopjimet, MASHT ka aplikuar edhe këtë vit ndarjen e nxënësve përmes platformës e-Kosova, duke siguruar që nxënësit e së njëjtës klasë nuk të testohen në të njëjtën sallë. Elezi përmendi edhe përvojën e testit të maturës, ku mbi 80 nxënës u përjashtuan për përdorim të telefonave, ndërsa paralajmëroi mbikëqyrje të rreptë edhe për nxënësit e klasave të nënta.
Nga ana tjetër, njohësit e arsimit e vlerësojnë testin si të rëndësishëm, por të rrezikuar nga keqmenaxhimi. Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, thekson se manipulimet dhe kopjimet në test e bëjnë atë jo-reprezentativ për dijen reale të nxënësve.
“Administrimi i drejtë i testimit është i domosdoshëm. Pa të, testi i arritshmërisë po kthehet në një proces joadekuat dhe i pabarabartë për nxënësit,” – tha Qehaja.
Sipas MASHTI-t, rezultatet e testit pritet të shpallen deri më 5 korrik, dhe do të jenë faktor ndihmës në përzgjedhjen e profileve në shkollat e mesme. Ministria apelon për respektim të rregullave dhe integritet në këtë proces të rëndësishëm arsimor.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.