Kur Allahu i Lartësuar e urdhëroi Ibrahimin, alejhi selam, që t’i thërrasë njerëzit në haxhillëk, ai me shqetësim pyeti: “Si do të më dëgjojnë njerëzit?” – “Ti vetëm thirri, përcjellja na takon Neve”, iu tha. Dhe vërtet, ndër shekuj njerëzit me dëshirë e dashuri vërshojnë drejt qytetit për të cilin Ibrahimi, alejhi selam, iu lut Allahut që ta bënte të sigurt. Në atë siguri udhëtojnë të gjithë njerëzit, pa dallim ngjyre, kombësie, gjuhe apo medhhebi. Thirrja e Ibrahimit, alejhi selam, përkatësisht haxhillëku, i bashkon të gjithë. Të gjithë të mbledhur, janë të bashkuar me një qëllim të vetëm: që ta arrijnë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Në rrugën drejt këtij qëllimi ata ecin me unitetin e veprimit – ai veprim janë ritet e haxhillëkut. Allahu i Madhëruar, përmes kësaj thirrjeje të Ibrahimit, alejhi selam, i bashkoi njerëzit.
Në planin individual, qëllimi është çlirimi nga mëkatet dhe arritja e asaj që premton Pejgamberi (a.s.) kur thotë: “Kush e kryen haxhillëkun dhe nuk bën mëkat gjatë kryerjes së tij, kthehet (nga haxhillëku) i pastër nga mëkatet, sikurse dita kur ka lindur.” (Muslimi)
Në planin e bashkësisë, qëllimi është të shihet dhe të mësohet se ashtu siç është e mundur të qëndrojmë krah për krah gjatë haxhillëkut, është e mundur që të qëndrojmë edhe gjatë jetës në përgjithësi. Nëse është e mundur të dëshmohet uniteti në tavaf, është e mundur të dëshmohet edhe në rastin e Gazës. Nëse është e mundur të dëshmohet bashkimi në Arefat, është e mundur të dëshmohet edhe në rastin e Gazës. Nëse është e mundur të ecet me harmoni nga Safa në Merve, atëherë harmonia është e mundur edhe për ta ndihmuar Palestinën. Nëse është e mundur të jemi një xhemat i madh dhe i bashkuar në Mina, është e mundur edhe në Bosnje, Kosovë (dhe gjetiu) të kundërvihemi fuqishëm e të bashkuar ndaj sulmeve kundër shtetit.
E çfarë po ndodh me ne, që pas një manifestimi të tillë të unitetit në haxhillëk, sërish po përjetojmë ndarje, përçarje, dhe po jetojmë në poshtërim? Çfarë po ndodh me ne, që nga madhështia e Arefatit, nga ajo afërsi me Allahun, po kthehemi drejt zemërimit të Allahut të Plotfuqishëm? Në këtë pyetje, në njëfarë mënyre, na përgjigjet vetë Pejgamberi (a.s.) kur thotë: “O njerëz, Allahu jua ka urdhëruar haxhillëkun, andaj kryeni atë!” Njëri prej të pranishmëve pyeti: “O i Dërguar i Allahut, a duhet çdo vit?”Pejgamberi (a.s.) heshti, dhe kur pyetja iu përsërit për herë të tretë, ai tha: “Sikur të thosha ‘po’, do të bëhej obligim për ju, edhe nëse nuk do të mundnit.” Pastaj vazhdoi: “Qëndroni pranë asaj që ju kam lënë. Ata para jush u shkatërruan për shkak të pyetjeve të tepërta dhe përçarjeve rreth asaj që sollën pejgamberët e tyre. Kur ju urdhëroj për diçka, zbatojeni, e nga ajo që ju ndaloj, qëndroni larg.” (Muslimi)
Nga ai vend i sigurt duhet të marrim me vete siguri, gatishmëri për harmoni, mirëkuptim dhe vendosmëri për ndihmë të ndërsjellë. Nga ai vend i sigurt umeti duhet të marrë vetëdijen se, për të gjitha çështjet me rëndësi në botë duhet të kemi qëndrim të qartë dhe të unifikuar, dhe ta dimë qëllimin. Ata që e dinë qëllimin, e njohin edhe rrugën për tek ai. E ajo rrugë është rruga që e praktikuam në haxhillëk, e që quhet uniteti i qëllimit dhe uniteti i veprimit. Ashtu siç arritën të përhapen fjalët e thirrjes së Ibrahimit, alejhi selam, në të gjitha anët e botës, siç arritën fjalët e Pejgamberit (a.s.), se ai na ka lënë diçka për të cilën duhet të mbahemi dhe të veprojmë sipas urdhëresave, e të largohemi nga ndalesat – edhe ato fjalë duhet të arrijnë në zemrat tona dhe të na nxisin drejt rrugës së drejtë. Megjithatë, e vërteta është, se feja për ne është bërë formë; e vërteta është, se ne nuk kemi mungesë xhamish të mëdha e të bukura, ceremonish masive e të organizuara mirë, por ajo që na mungon neve është vetë Islami – feja në përditshmëri. Edhe haxhillëku është për ne formë, ceremoni, një vend prej nga do të kthehemi me një titull më shumë dhe do ta vazhdojmë jetën me grindjet e vjetra, urrejtjet, dhe do ta vazhdojmë jetën në poshtërim. Si është e mundur që në të njëjtin avion të fluturojnë edhe Ed’hemi edhe Hasani, së bashku të nisin tavafin, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën çadër të qëndrojnë në Arefat, të ecin me harmoni e zell në Sa’j, së bashku të përballen me shejtanin në Mina, kurse më pas të kthehen në përqafimin e shejtanit me ndasi të vjetra, grindje dhe urrejtje?
Ibrahimi, alejhi selam, u lut për Mekën të ketë siguri dhe veprim të vendosur kundër kufrit, dhe atë siguri e fitoi. Edhe neve na takon të fitojmë siguri për vete, për familjen, për xhematin dhe bashkësinë, për shtetin dhe për umetin. Si të arrihet ajo siguri? Le ta dëgjojmë fjalimin e Pejgamberit (a.s.) në Arefat. Ai e përfundoi atë fjalim me këto fjalë:
“Po ju lë diçka, të cilës nëse i përmbaheni nuk do të humbni: Librin e Allahut dhe Sunetin tim. A ju kam përcjellë (mesazhin)?”– pyeti Pejgamberi. Allahu do të dëshmojë, se urdhri që na obligon ta mbrojmë veten dhe familjet tona nga zjarri na ka arritur. I Lartësuari do të dëshmojë, se na ka arritur urdhri për të qëndruar të lidhur fort me litarin e Allahut dhe për të luftuar pandërprerë për sigurinë e bashkësisë.
Për çfarë arsye u mblodhën të gjithë këta njerëz, me ngjyra të ndryshme, kombe, gjuhë dhe medhhebe, në rrafshlartën e Arefatit? U mblodhën që të fillojnë një faqe të re në jetën e tyre, sepse haxhillëku fshin gjithçka që ka qenë para tij, por edhe për t’i dhënë mesazh vetes dhe neve: se jemi të obliguar, por gjithashtu kemi forcën për t’u kujdesur për veten. Kjo është mundësia e duhur, që sot, kur haxhilerët nga Arefati kanë shkuar drejt Minës për t’u përballur me shejtanin, t’i dëgjojmë fjalët e Allahut: “Ju jeni vëllezër, dhe silluni si vëllezër me njëri-tjetrin!”
Le të reflektojmë dhe ta pyesim veten: Si është e mundur që të ecim vendosmërisht njëri pranë tjetrit në tavaf, të qëndrojmë në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën veshje në Arefat, të ecim me nxitim në shtigjet e Haxheres së bashku, të hedhim gurët kundër shejtanit në të njëjtin moment, e pastaj të kthehemi në jetën reale të përçarë, të përfshirë nga grindjet dhe urrejtja ndaj njëri-tjetrit?
Atëherë, çfarë mësimi në përgjithësi po na mëson haxhillëku?
O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo që ta kuptojmë mesazhin e riteve të haxhillëkut. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.