Salim Jenuzi gjykohet për korrupsion

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Lajme Opoja

Përfaqësuesi ligjor i Komunë së Dragashit, Islam Rexhepllar, të mërkurën, në gjykimin ndaj kryetarit të Komunës së Dragashit, Salim Jenuzit, dhe zyrtarëve tjerë të kësaj komune, Bean Haxhihasani dhe Vetim Hasani, të akuzuar për korrupsion, tha se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale. Rexhepllar tha se në këtë rast penal, Komuna e Dragashit, nuk konsideron se është dëmtuar nga veprimet e të akuzuarve, andaj edhe nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale.

Avokati publik Rexhepllar, tha se për të mos iu bashkangjitur ndjekjes penale, është bazuar në vendimin që ka marrë Komuna e Dragashit, më 31 janarit 2017. Sipas këtij vendimi, Nexhat Selajt, i cili akuzohet për uzurpim të pronës komunale, i ishte dhënë në shfrytëzim prona që pretendohet si e uzurpuar dhe ishte detyruar që në mënyrë retroaktive të paguante çmimin për shfrytëzim.

Në anën tjetër, prokurori Sefer Morina, në fjalën hyrëse tha se me administrimin e provave gjatë shqyrtimit gjyqësor, do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

I akuzuari për korrupsion Salim Jenuzi, gjatë fjalës hyrëse tha se ai si kryetar komune, nuk ka mundur t’i dijë të gjitha çështjet e komunës, e sidomos ato juridike, andaj ka kërkuar që të shpallet i pafajshëm.

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Dragashit, i akuzuari Bean Haxhihasani, tha se aktakuza vetëm përmend ligjin për ndërtim, ndërsa nuk i cek saktësisht nenet e ligjit, të cilat pretendon se janë shkelur.

I akuzuari Vetim Hasani, tha se punën e inspektorit të ndërtimit, e kishte bërë me përgjegjësi sepse objektin e kishte inspektuar disa herë dhe se pronari kishte pasur të gjitha dokumentet e nevojshme. Ka pranuar se i akuzuari ka bërë pak zgjerim të objektit, por se për një gjë të tillë ka paraqitur dokumente se ka leje.

I akuzuari për uzurpim, Nexhat Selaj, tha se si investitor nuk ndihet fajtor pasi që posedon kontratën e shitblerjes e patundshmërisë dhe të gjitha dokumentet tjera që kërkohen me ligj. Tutje tha se në objektin e tij ka investuar mbi 100 mijë euro dhe se punojnë 10 punëtorë.

Gjatë leximit të provave materiale, të akuzuarit, të cilët nuk kanë mbrojtës, kanë paraqitur prova me të cilat pretendojnë se do të argumentojnë pafajësinë e tyre. Me këtë rast, i akuzuari Bean Haxhihasani ka propozuar që të administrohen disa dokumente me të cilat do të dëshmohet se objekti për të cilin bën fjalë aktakuza është blerë në vitin 1993. Poashtu edhe të gjitha aktet përcjellëse për lejimin e ndërtimit të objektit dhe legalizimin e tij.

Prokurori Sefer Morina ka kërkuar që t’i dorëzohen provat e pasi t’i analizojë, do të deklarohet rreth tyre.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Ajser Skenderi, pasi konstatoi se i akuzuari Haxhihasani nuk ka bërë kopje të mjaftueshme të provave, ka urdhëruar atë që në afat prej tre ditësh, të furnizojë prokurorin dhe gjykatën me kopjet e këtyre provave.

Seanca e radhës është caktuar për 23 mars 2017, në ora 09:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon Salim Jenizin, se duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.

Poashtu, Bean Haxhihasani, akuzohet se në cilësinë e drejtorit të urbanizmit në Komunën e Dragashit, ka leshur vendim me të cilin i është lejuar Nexhat Selajt, që të ndërtojë objektin afarist në pronë komunale.

Vetim Hasani, akuzohet se duke qenë inspektor i ndërtimit në Komunën e Dragashit, nuk ka vepruar për të ndërprerë ndërtimin e objektit afarist të Nexhat Selajt, me material të përhershëm.

Ndërsa Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm./betimiperdrejtesi/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

Fjalë kyqe:
- Reklama-
- Reklama-