Sëmundjet respiratore janë ndër problemet më të shpeshta shëndetësore në Kosovë, menjëherë pas sëmundjeve të zemrës, vë në dukje pulmologu Besim Morina.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Morina theksoi se rastet më të zakonshme përfshijnë bronkitin kronik, efizemën dhe astmën bronkiale, sidomos te të rinjtë me alergji.
“Problemet me sëmundjet e mushkërive paraqesin një nga problematikat më të shpeshta që kanë kosovarët, përfshirë sëmundjet e zemrës. Kjo e mushkërive hyn në kategorinë e dytë. Rastet më së shumti që trajtojmë janë ato me rrugët e frymëmarrjes. Këtu përfshihen ata që kanë probleme me bronkitin kronik, efizemën, njerëzit që kanë pirë duhan më parë dhe më së shumti kemi me astmën bronkiale, që është karakteristike tek të rinjtë që kanë alergji ose ndjeshmëri më të madhe të rrugëve të frymëmarrjes”, tha Morina.
Ai shtoi se në ditët e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e alergjenëve, gjë që ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së pacientëve.
“I kemi dy kategori të pacientëve që vuajnë nga problemet me rrugët e frymëmarrjes: kategoria e parë janë ata që vuajnë nga pasojat e pirjes afatgjate të duhanit dhe kategoria e dytë janë pacientët që nuk kanë pirë duhan, por kanë probleme për shkaqe të tjera si alergjitë ose ekspozimi ndaj ndotjes. Këta janë zakonisht pacientë më të rinj, të cilët kanë këto probleme, sidomos gjatë ndryshimeve sezonale. Rekomandojmë një diagnozë të qartë dhe trajtim të duhur”, shtoi ai.
Morina vuri në pah se ndërgjegjësimi për shëndetin respirator është rritur ndjeshëm pas pandemisë COVID-19.
“Në Kosovë kemi pasur një rritje të personave që kanë probleme respiratore. Kjo ka ndodhur për dy arsye: e para është vetëdijesimi i popullatës për problemet e tyre respiratore, sidomos pas COVID-it. Tani kemi më shumë raste me probleme respiratore, më shumë alergji, ndjeshmëri dhe kollë. Mos të harrojmë që bëjmë më shumë teste dhe t’i identifikojmë më mirë ata që kanë probleme. Kemi gjithashtu ngritje të ndotjes së ajrit dhe ekspozimit ndaj produkteve të ndryshme të duhanit, të cilat po përdoren në masë të madhe nga të rinjtë dhe të rejat”, tha pulmologu Morina.

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.