Me gjithë zotimin e bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, veç tri ditë pas sulmit terrorist në kanalin e “Ibër Lepencit”, se autoritetet e shtetit që udhëheq do të bashkëpunojnë edhe me Policinë në Kosovë për zbardhjen e rastit, Beogradi zyrtar nuk i është përgjigjur asnjë kërkese të drejtuar nga Prokuroria Speciale për këtë hetim.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka thënë se autoritetet në Serbi nuk i janë përgjigjur kërkesës për bashkëpunim në hetim, e nisur një muaj pas sulmit të 29 nëntorit 2024.
“Prokurori i rastit më 8.1.2025, pra vetëm disa ditë pas aktit terrorist, u ka dërguar kërkesë autoriteteve të Serbisë, përmes Ndihmës për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (përmes Zyrës së BE-së), për sigurimin e provave në ndriçimin e këtij rasti penal, por me gjithë kërkesën e përsëritur për sigurimin e provave, deri më sot nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje nga autoritetet e Serbisë. Theksojmë se kërkesa është përsëritur sërish”, ka thënë Luta.
Premtimin për bashkëpunim Vuçiqi fillimisht e pati bërë në një konferencë shtypi më 1 dhjetor 2024.
“Në pajtim me marrëveshjen e Brukselit jemi të gatshëm ta hapim bashkëpunimin edhe me pjesën profesionale, jo vetëm të EULEX-it, por edhe përmes EULEX-it me Policinë e Prishtinës, që do që ta dijë të vërtetën. Jemi krejt të hapur për bashkëpunim të plotë me KFOR-in, me të gjithë, për cilëndo çështje. Të gjitha të dhënat tona, të gjitha ato që i kërkojnë mund t’i marrin, madje edhe Prishtina”, pati thënë Vuçiqi.
E zotimin e përsëriti edhe dy ditë më vonë, në takim me ish-emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në të cilin edhe u ankua se shteti i tij po përballet me luftë hibride që, sipas tij, drejtohet nga kryeministri tani në detyrë, Albin Kurti.
“Me Miroslav Lajçakun lidhur me ndodhitë në Kosovë e M. lidhur me rrezikimet më të reja të sigurisë dhe të të drejtave të serbëve. Ritheksova që po bëjmë hetim serioz dhe se do të bashkëpunojmë me të gjithë, me qëllimin e ndriçimit të fakteve, të kryerësve dhe, në radhë të parë, të urdhërdhënësve të asaj që ndodhi në Varagë e që ka lëshuar sulm hibrid ndaj vendit tonë”, pati thënë Vuçiqi.
Por në Prokurorinë Speciale kanë thënë se përgjigjja nga autoritetet në Serbi ka munguar edhe kur kërkesa për bashkëpunim është përsëritur.
E lidhur me hetimet në zhvillim për sulmin e vjetëm terrorist mbi infrastrukturën kritike, në organin e akuzës nuk kanë shpalosur detaje, por kanë thënë se janë në pritje të rezultateve nga ekzaminimi i provave që janë dërguar jashtë vendit.
“Përveç bashkëpunimit me institucionet vendore, PSRK-ja është në bashkëpunim edhe me ato ndërkombëtare, duke theksuar se në kuadër të këtij bashkëpunimi një numër të provave i kemi dërguar jashtë vendit për ekzaminim”, ka thënë zëdhënësja Luta, shkruan Koha.
Për sulmin e 29 nëntorit të 2024-s, në hetime është përfshirë edhe Byroja Kombëtare amerikane e Hetimeve, FBI. Deri më tani në paraburgim janë duke u mbajtur dy të dyshuar teksa krahas Dragisha e Jovan Viqentijeviqit, në Prokurori kanë thënë se ka edhe të dyshuar të tjerë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.