Shkolla Si Premtim i Pambajtur i Kryetarit të Dragashit

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Që nga viti 2009 kryetari i Dragashit Salim Jenuzi premtoi ndërtimin e shkollës profesionale, e cila ende nuk është kompletuar.

Shkolla profesionale nisi të ndërtohet në vitin 2008, ndërsa ishte njëri nga premtimet elektorale të kryetarit Jenuzi në zgjedhjet lokale të vitit 2009.

Ndërtimin e kësaj shkolle si premtim nëse i jepet vota, Jenuzi e barti edhe në zgjedhjet komunale të 2013-ës, por shkolla edhe sot ende nuk është përfunduar, megjithëse vazhdojnë punimet për ndërtimin e saj.

KALLXO.com-i tentoi ta marrë edhe mendimin e kryetarit të Dragashit Salim Jenuzi për zvarritjet e ndërtimit të kësaj shkolle, por kryetari nuk u përgjigj në telefon për këtë çështje.

Nexhat Isufi, asamblist i Bashkimit Demokratik në Komunën e Dragashit dyshon se shkolla do të nisë punën në muajin shtator.

“Me të vërtetë kjo shkollë është bërë një maratonë për arsye se nxënësit tonë prej 2010-ës, kanë mundur të shkojnë në profesione të ndryshme dhe jo që pritet shumë sigurt që do të fillojë në shtator, por është një pikëpyetje e madhe se a do të fillojë edhe vitin e ardhshëm, apo jo,” tha asamblisti Isufi.

Isufi shtoi se kjo shkollë tregon se sa të sinqertë janë qeveritarët komunalë kur premtojnë diçka.

As drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashit Hajri Ramadani, nuk e di saktësisht nëse shkolla do të fillojë punën në shtator.

“Shkolla profesionale ka filluar të ndërtohet në vitin 2008 dhe është në përfundim e sipër dhe mendojmë që më 1 shtator duhet të lëshohet me drejtimet e reja profesionale, e jo vetëm me ato që i kemi: juridik, ekonomi, laborant, por edhe drejtime që janë nëpër shkollat profesionale nëpër territorin e Kosovës,” tha drejtori Ramadani.

Derisa të ndërtohet kjo shkollë, nxënësit e Dragashit që i duan drejtimet profesionale, duhet të udhëtojnë për shkollim të tillë në Komunën e Prizrenit. (kallxo.com)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-