Shahindere Ramadani, e cila ka filluar të punojë si mësimdhënëse në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët ‘Ilmi Bahtijari’ në fshatin Zaplluxhë të komunës së Dragashit, është vajza e Hajri Ramadanit, ish-drejtorit të Arsimit në këtë komunë.
Ndërsa në shkollën ku do të punojë, drejtor do ta ketë vjehrrin e saj, Naser Meleqin, shkruan Kallxo.com.
Hajri Ramadani, i cili në qeverisjen e kaluar lokale të PDK-së udhëhiqte Drejtorinë e Arsimit në Dragash, ishte gjykuar dhe shpallur fajtor për kepërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Për këtë gjë kryetari i atëhershëm i Komunës së Dragashit, Salim Jonuzi, e kishte liruar nga detyra.
Dukuria e nepotizmit në shkollat e Dragashit dhe institucionet tjera publike në këtë komunë nuk është e rrallë. Opozitarët dhe qytetarët e këtushëm shumë herë kanë hedhur akuza mbi pushtetarët për kurdisje të konkurseve publike, punësime familjare dhe keqpërdorime të detyrave zyrtare. Disa zyrtarë komunalë, përfshirë edhe ish-kryetarin e Komunës, janë përballur me drejtësinë për çështjet në fjalë.
Ndërkohë që Komuna e Dragashit vazhdon të jetë ndër të fundit në listë për transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve të vet./Opoja.net
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.