Shqiptarët në mbarë botën shënojnë 113-vjetorin e Pavarësisë

Opoja.net Opoja.net Kosova

Shqiptarët sot kremtojnë 113 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, një ditë që ka hyrë në historinë kombëtare si themeli i shtetit modern shqiptar. Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Kuvendi Gjithëkombëtar ngriti flamurin kuq e zi dhe shpalli pavarësinë, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë sundimi dhe duke hapur një kapitull të ri për kombin shqiptar.

Shpallja e Pavarësisë ishte kulmi i një rruge të gjatë përpjekjesh, rezistence dhe sakrificash të shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të tyre. Vendimi i delegatëve të Vlorës jo vetëm që afirmoi të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje, por edhe sfidoi planet e monarkive ballkanike që synonin copëtimin e trojeve shqiptare.

Ky moment historik i dha fund sundimit pesëshekullor osman dhe krijoi bazën për zhvillimin politik, kulturor dhe shoqëror të shtetit shqiptar. Pavarësia e vitit 1912 u arrit falë kontributit të figurave të Rilindjes Kombëtare, luftëtarëve dhe patriotëve që me penë e me armë trashëguan idealin e lirisë.

Në nder të kësaj feste, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka shpallur të premten ditë pushimi për administratën publike. MPB, përmes një njoftimi zyrtar, ka uruar qytetarët për Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë.

Për Kosovën, 28 Nëntori ka një kuptim të veçantë e të shumëfishtë: shënon Ditën e Flamurit të Skënderbeut, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe përvjetorin e paraqitjes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë arsye, në qyte­te e të gjithë vendit po mbahen aktivitete kulturore dhe përkujtimore.

Vlora, qyteti ku u ngrit flamuri për herë të parë, sot rrezaton atmosferë festive. Rrugët, sheshet dhe institucionet janë të veshura me simbole kombëtare, ndërsa ngjyrat kuq e zi dominojnë çdo hapësirë publike, thuhet në reportazhin e përgatitur nga RTSH.

Në qendrën multifunksionale të qytetit janë vendosur dy flamuj gjigandë që i japin Vlorës një pamje solemne dhe madhështore. Bulevardi “Ismail Qemali” është shndërruar në një skenë të hapur festive, ku qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora marrin pjesë në aktivitetet tradicionale.

Vallet popullore, këngët e trevave shqiptare dhe kostumet shumëngjyrëshe kanë krijuar një atmosferë të gjallë dhe emocionuese. Gazetarët e RTSH-së raportojnë se në çdo cep të qytetit dëgjohen tingujt e muzikës patriotike dhe recitime që rikthejnë frymën e ditëve të mëdha të historisë.

Sheshi i Flamurit është gati për ceremoninë  e sotme, ku liderët e shtetit shqiptar, por edhe Kosovë e vendeve tjera do të marrin pjesë për nderë të këaj dite.

Nga Vlora në Prishtinë, nga Tetova në Ulqin e deri në komunitetet shqiptare jashtë vendit, 28 Nëntori po festohet me krenari, aktivitete kulturore dhe ceremoni zyrtare. Shqiptarët, kudo që jetojnë, nderojnë sakrificat e të parëve dhe përcjellin mesazhin e unitetit kombëtar. Më të hendikepuar janë shqiptarët në Luginën e Preshevës, ku atje festa e Flamurit ndalohet nga regjimi i presidentit Vuçiq. Madje liderët shqiptarë që kanë nxjerrë flamurin kuqezi janë ndjekur nga gjykatat serbe.

Megjithatë 113-vjetori i Pavarësisë mbetet një ditë e shënuar që forcon identitetin, ruan kujtesën historike dhe bashkon brezat në një ndjenjë të përbashkët krenarie kombëtare.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-